SHBA reagon ndaj deklaratave të Vuçiqit për Ibrin
Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar lidhur deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka theksuar se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.
Departamenti Amerikan i Shtetit lidhur me këtë çështje, i tha Radios Evropa e Lirë se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë prioritete të Shteteve të Bashkuara.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Edhe Bashkimi Evropian paralajmëroi se deklaratat e zyrtarëve serbë nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, proces që është kusht për përparimin e të dyja vendeve drejt anëtarësimit në BE.
“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumenjve, si dhe veprimet që nuk janë në përputhje me këtë synim, duhet të shmangen”, thuhet në përgjigjen e BE-së për Radion Evropa e Lirë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.
Ndryshimi i rrjedhës së Ibrit në mënyrë që lumi ta anashkalonte Kosovën do të ndërpriste prurjet e ujit në Liqenin e Ujmanit, një burim i rëndësishëm për furnizimin me ujë të Kosovës.
“Nuk bëhet fjalë për një skenar në të cilin furnizimi me ujë do të ndërpritej menjëherë”, thotë për Radion Evropa e Lirë profesori i hidraulikës dhe burimeve ujore në Kosovë, Alban Kuriqi.
Për Dushan Janjiqin nga organizata joqeveritare Forumi për Marrëdhënie Etnike, retorika e Vuçiqit është e rrezikshme, krijon atmosferë të keqe dhe mund të ndikojë edhe në pozitën e serbëve në veri të Kosovës.

