LSH Strugë: Fjalë shumë për “One Stop Shop”, në realitet kolona të gjata në Qafë Thanë

LSH Strugë: Fjalë shumë për “One Stop Shop”, në realitet kolona të gjata në Qafë Thanë

Këshilltari i Lidhjes Shqiptare në Strugë, Armend Reçi, ka kritikuar institucionet për situatën në pikën kufitare Qafë Thanë, duke e cilësuar pritjen e qytetarëve si “torturë të panevojshme dhe të pamëshirshme”.

MARKETING

Description of image

Përmes një reagimi, Reçi thotë se, pavarësisht deklaratave, marrëveshjeve dhe paralajmërimeve të vazhdueshme për zgjidhjen e problemeve në këtë pikë kufitare, në terren nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.

“Qindra deklarata, nënshkrime marrëveshjesh, PR pa fund, premtime për zgjidhjen e problemit dhe foto për ‘One Stop Shop’ në prag të fillimit të sezonit, me qëllim largimin e presionit publik dhe krijimin e argumenteve se gjoja problemi po zgjidhet. Por në terren, asnjë hap konkret!”, shprehet Reçi.

Sipas tij, qytetarët vazhdojnë të përballen me pritje të gjata, radhë dhe kaos në kufi, ndërsa institucionet, siç pretendon ai, merren me “propagandë”.

“Qytetarët vazhdojnë të presin me orë të tëra në radhë, të përballen me kaos dhe të humbin kohën e tyre, ndërsa institucionet vazhdojnë me propagandën e tyre”, thuhet në reagim.

Reçi thekson se qytetarët nuk kanë nevojë për deklarata dhe fotografi, por për zgjidhje konkrete që do të mundësonin lëvizje më të shpejtë dhe më efikase në pikën kufitare.

“Nuk ka nevojë për PR, foto dhe deklarata. Ka nevojë për zgjidhje konkrete, që përmirësojnë dhe lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve!”, deklaron ai.

Në fund të reagimit, këshilltari i Lidhjes Shqiptare në Strugë e cilëson situatën në Qafë Thanë si “turp dhe skandal”.

MARKETING