Kurti pas takimit me Abdixhikun: Ende nuk ka marrëveshje
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, nuk ka prodhuar një marrëveshje politike ndërmjet dy subjekteve.
Pas përfundimit të takimit, Kurti tha se një marrëveshje do të përbënte lajmin kryesor, por theksoi se një e tillë ende nuk është arritur.
“Lajm do të ishte po të kishte marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi”, deklaroi Kurti para gazetarëve.
Megjithatë, ai theksoi se dialogu mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së do të vazhdojë, duke shtuar se partia që ai drejton mbetet e hapur për bashkëpunim me LDK-në.
Kurti komentoi edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit, duke nënvizuar se posti i presidentit nuk duhet të trajtohet si përfaqësim i një force politike, por si përfaqësim i Republikës së Kosovës.
Sipas tij, presidenti duhet të jetë një figurë unifikuese dhe gjithëpërfshirëse, e pranueshme për të gjithë qytetarët, e jo një kandidat që identifikohet vetëm me një subjekt politik.

