Tragjedi në Shkodër: Nëna dhe dy fëmijët humbin jetën nga zjarri, zbardhen detaje të reja nga ngjarja
Detaje të reja kanë dalë nga tragjedia e rëndë që tronditi zonën e Postribës në Shkodër, ku një 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur humbën jetën pasi banesa ku ndodheshin u përfshi nga zjarri.
Sipas informacioneve paraprake, trupat e viktimave janë gjetur brenda banesës pranë njëri-tjetrit. Dyshohet se në momentet e fundit, nëna ka tentuar të shpëtojë fëmijët e saj, ndërsa foshnja 1-vjeçare është gjetur në krahët e saj, ndërsa fëmija tjetër pranë tyre.
Gjatë hetimeve në vendngjarje, ekspertët kanë gjetur mbetje të një bombole të vogël gazi, e cila është marrë si provë për ekzaminime të mëtejshme. Banesa ka pësuar dëme të mëdha nga zjarri, duke lënë pas vetëm disa pjesë metalike të objektit.
Hetuesit po analizojnë të gjitha provat për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit. Dyshimet fillestare lidhen me një rrjedhje të mundshme gazi gjatë tentativës për ndezjen e bombolës për gatim, por nuk janë përjashtuar as pista të tjera.
Bashkëshorti i 24-vjeçares ka deklaruar para hetuesve se familja kishte marrë me vete edhe një shishe benzinë, e cila do të përdorej për punime në banesë. Sipas tij, ai ishte larguar për pak minuta për të blerë disa produkte, ndërsa gjatë mungesës së tij kishte shpërthyer zjarri.
Një nga vështirësitë kryesore në ndërhyrjen emergjente ishte edhe pozita e izoluar e banesës, e cila ndodhej larg objekteve të tjera dhe në një terren të vështirë për qasje.
Familja Çelaj jetonte në Gjermani dhe kishte ardhur në Shqipëri për pushime. Ata kishin shkuar në banesën e vjetër në fshatin Domen për ta pastruar dhe rregulluar atë, por vizita përfundoi në një tragjedi të rëndë.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet, ndërsa rezultatet e ekspertizave pritet të përcaktojnë shkakun përfundimtar të zjarrit.

