Praktikantja e NATO-s dyshohet për spiunazh, gjykata vendos ta mbajë në paraburgim
Një praktikante e NATO-s do të qëndrojë në paraburgim pasi autoritetet belge e dyshojnë për spiunazh dhe përfshirje në një organizatë kriminale. Bëhet fjalë për një shtetase kanadeze me origjinë kineze, e cila akuzohet se mund të ketë punuar për një vend që nuk është pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Sipas prokurorisë belge, gruaja kishte kryer praktikën në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate për Evropën (SHAPE), selia strategjike ushtarake e Komandës Aleate të Operacioneve të NATO-s në Mons të Belgjikës. Ajo u arrestua javën e kaluar, ndërsa autoritetet kontrolluan ambientet e punës dhe apartamentin e saj. Sipas hetuesve, e dyshuara kishte tërhequr më herët vëmendjen e shërbimeve të sigurisë së SHAPE.
Prokuroria bëri të ditur se vendimi për paraburgimin mund të apelohet nga e dyshuara. Nëse masa do të mbetet në fuqi, çështja do të rishikohet periodikisht nga autoritetet gjyqësore, fillimisht çdo muaj dhe më pas çdo dy muaj, sipas procedurave ligjore. Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë natyrën dhe përmasat e dyshimeve për aktivitetet e saj.

