Mbi 5.500 të vdekur dhe mijëra të lënduar nga tërmetet në Venezuelë

Mbi 5.500 të vdekur dhe mijëra të lënduar nga tërmetet në Venezuelë

Një muaj pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën, bilanci zyrtar i viktimave ka arritur në 5.546, ndërsa 16.740 persona kanë mbetur të lënduar.

MARKETING

Description of image

Dy tërmetet me magnitudë 7,2 dhe 7,5 goditën pjesën veriore të vendit natën e 24 qershorit, vetëm 39 sekonda larg njëri-tjetrit. Ky fenomen i rrallë njihet si “dublet sizmik”.

Fatkeqësia konsiderohet ndër më të rëndat që Venezuela ka përjetuar në më shumë se një shekull.

Bilanci i fundit është bërë publik nga presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, i cili ka paralajmëruar se numri i viktimave mund të vazhdojë të rritet, teksa ekipet po pastrojnë rrënojat dhe po kërkojnë personat e zhdukur.

Autoritetet nuk e kanë përditësuar që nga 25 qershori numrin zyrtar të të zhdukurve, i cili atëherë ishte 157. Ndërkohë, një nismë qytetare ka regjistruar rreth 29.500 raportime për persona, vendndodhja e të cilëve vazhdon të mbetet e panjohur.
Diferenca e madhe ndërmjet shifrave zyrtare dhe raportimeve të qytetarëve ka nxitur debate dhe kritika ndaj institucioneve.
Sipas një vlerësimi të Bankës Botërore, dëmet fizike nga tërmetet arrijnë në rreth 19,6 miliardë dollarë. Prej tyre, rreth 9,3 miliardë dollarë lidhen me dëmet në banesa, 5,2 miliardë me infrastrukturën publike, ndërsa afro pesë miliardë dollarë me ndërtesat tregtare dhe industriale.

Rreth 17.907 familje kanë mbetur pa banesa, ndërsa mbi 23 mijë persona vazhdojnë të strehohen në 107 qendra të përkohshme në Karakas.

Operacionet e kërkim-shpëtimit gradualisht po ia lënë vendin pastrimit të rrënojave dhe procesit të rindërtimit. Autoritetet paralajmërojnë se kthimi në normalitet dhe rindërtimi i zonave të prekura mund të zgjasin me muaj, madje edhe me vite.

MARKETING