Presidenti sirian përshëndet rolin e presidentit Erdogan në heqjen e sanksioneve të SHBA-së
Presidenti sirian Ahmad al-Sharaa përshëndeti rolin e luajtur nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe Arabia Saudite në heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Sirisë, transmeton Anadolu.
“Shkëlqesia e tij, presidenti Erdogan dhe Arabia Saudite ndërmjetësuan vitin e kaluar me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për të hequr sanksionet ndaj Sirisë”, tha Al-Sharaa të dielën në një intervistë për televizionin Al Jazeera.
Al-Sharaa tha se Siria mbetet e caktuar nga SHBA-ja si një shtet sponsorizues i terrorizmit, duke shtuar se heqja e përcaktimit bie nën autoritetin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së bazuar në një rekomandim të pesidentit Trump.
Ai tha se rekomandimi më pas do t’i dorëzohet Kongresit për një periudhë shqyrtimi 45-ditore për të lejuar kundërshtimet, pas së cilës Trumpi do të nënshkruajë vendimin përfundimtar duke hequr zyrtarisht përcaktimin.
Al-Sharaa tha se Damasku ka dhënë garanci që adresonin arsyet e përcaktimit origjinal, përfshirë angazhimet se Siria nuk do të shërbente si strehë e sigurt për terrorizmin ose nuk do të lehtësonte transferimin e armëve ose fondeve. Ai theksoi se garancitë nuk kishin lidhje me ndonjë rol të jashtëm që pritej nga Siria.
Ndërsa SHBA-ja ka hequr shumicën e sanksioneve ndaj Sirisë pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit, Siria ka mbetur në listën e Washingtonit të sponsorëve shtetërorë të terrorizmit që nga viti 1979, një përcaktim që shihet gjerësisht si një nga pengesat kryesore të mbetura për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

