Ndërmjetësuesit intensifikojnë diplomacinë SHBA-Iran pas urdhrit të Trumpit për “pauzë” në sulme
Ndërmjetësuesit Pakistani dhe Katari kanë intensifikuar shkëmbimin e mesazheve mes SHBA-së dhe Iranit, pasi dy palët ndërluftuese kanë komunikuar përgjigjet e tyre ndaj një formule të përbashkët për t’i dhënë fund luftës disa-mujore, thanë burime të qeverisë pakistaneze për Anadolu.
Burimi tha se zhvillimi vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, urdhëroi një “pauzë” në fushatën e fundit të bombardimeve ndaj Iranit, pas dy javësh sulmesh të njëpasnjëshme gjatë netëve.
Në fillim të kësaj jave, sipas një zyrtari në dijeni të çështjes, Islamabadi dhe Doha propozuan një formulë të përbashkët për uljen e tensioneve, duke i bërë thirrje SHBA-së dhe Iranit të rikthehen në pozicionet e tyre para 9 korrikut, “si hap të parë” drejt rifillimit të bisedimeve të pezulluara për t’i dhënë fund përgjithmonë konfliktit.
Edhe pse burimet nuk dhanë detaje rreth përgjigjeve, ato thanë se të dyja palët kanë shprehur pëlqimin për dialog dhe diplomaci për t’i dhënë fund armiqësive të fundit dhe për t’u rikthyer në negociata.
Burimet thanë se pauza në sulmet nga të dyja palët ka rritur shpresat për rifillimin e bisedimeve të pezulluara.
Megjithatë, një burim paralajmëroi se pauza është e brishtë, me një mundësi të “fortë” për shkelje ose një përshkallëzim të ri të armiqësive pranë Ngushticës së Hormuzit, e cila është pothuajse e mbyllur.
“Ndërmjetësuesit janë në kontakt të vazhdueshëm me dy palët ndërluftuese për ta konsoliduar ‘pauzën’, që është prioriteti i tyre i parë për të hapur rrugën për raundet e ardhshme të formulës së tyre për uljen e tensioneve”, tha burimi.
Një burim diplomatik i tha veçmas Anadolu-t se ndërmjetësuesit janë veçanërisht të shqetësuar për “skifterët” në të dyja palët, të cilët mund të rikthejnë armiqësitë.
Dje, The New York Times raportoi se Trump ka pezulluar për momentin planet për përshkallëzimin e operacioneve ushtarake kundër Iranit, mes shqetësimeve për pakësimin e rezervave amerikane të raketave për mbrojtjen ajrore.
Vendimi u mor pas një takimi dje me këshilltarë të lartë dhe zyrtarë të kabinetit.
Propozimi për uljen e tensioneve
Propozimi për uljen e tensioneve, i hartuar bashkërisht nga Islamabadi dhe Doha pas konsultimeve me partnerët rajonal, u bëri thirrje të dyja palëve të rikthehen në pozicionet që mbanin para fillimit të armiqësive të fundit.
Irani konfirmoi se kishte marrë propozime nga ndërmjetësuesit për uljen e tensioneve dhe se po i shqyrton ato, duke riafirmuar angazhimin e tij ndaj diplomacisë në mes të shkëmbimit të zjarrit.
Pakistani, i cili ndërmjetësoi një armëpushim në muajin prill, gjithashtu ndihmoi SHBA-në dhe Iranin të arrinin muajin e kaluar një memorandum mirëkuptimi për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme paqeje.
Megjithatë, tensionet u përshkallëzuan sërish në fillim të këtij muaji për shkak të çështjes së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas propozimit, shtuan burimet, Irani do të rihapë menjëherë Ngushticën e Hormuzit, ndërsa SHBA-ja do t’i japë fund bllokadës së rikthyer ndaj porteve iraniane dhe do të heq sanksionet për shitjen e naftës iraniane.
Burimet shtuan se formula parashikon gjithashtu një armëpushim dyjavor.
Sipas burimeve, nëse Washingtoni dhe Teherani bien dakord, ata do t’i rifillojnë menjëherë bisedimet, ndërsa zbatimi i armëpushimit në Libanin jugor do të jetë gjithashtu ndër çështjet kryesore në agjendë.

