Turqia: Samiti i NATO-s në Ankara hap kapitull të ri për industrinë e mbrojtjes të aleancës
Sekretari i Industrisë së Mbrojtjes të Turqisë, Haluk Gorgun tha sot se Samiti i NATO-s në Ankara dhe Forumi shoqërues i Industrisë së Mbrojtjes do të shënojnë fillimin e “një kapitulli të ri” për aleancën ndërsa anëtarët kërkojnë të forcojnë bazën e tyre industriale të mbrojtjes, transmeton Anadolu.
“Bota po kalon një transformim të madh. Është e paimagjinueshme që NATO të qëndrojë indiferente ndaj kësaj”, tha Gorgun në një pritje të organizuar nga Sekretariati i Industrive të Mbrojtjes (SSB) gjatë samitit të 36-të të krerëve të shteteve dhe qeverive të NATO-s.
Ai theksoi se aleanca ka arritur një pikë kthese historike. “Unë ju siguroj kur historia e NATO-s të shkruhet në të ardhmen, një kapitull i veçantë do t’i kushtohet samitit të Ankarasë dhe Forumi i Industrisë së Mbrojtjes do të shënojë fillimin e një kapitulli të ri për NATO-n”, shtoi ai.
Gorgun tha se forumi përfaqëson kulmin e përpjekjeve të nisura në samitet e mëparshme të NATO-s në Vilnius, Washington dhe Hagë për të forcuar bashkëpunimin midis aleatëve dhe industrisë së mbrojtjes. Ai vuri në dukje ekspozimet e kompanive turke të mbrojtjes gjatë forumit, përfshirë një shfaqje ajrore me avionë me dhe pa pilot të zhvilluar nga “Turkish Aerospace” dhe “Baykar”.
Gorgun e përshkroi “Baykar”-in si “një kompani globale të mjeteve ajrore pa pilot (dronëve me armë – IHA) që ndryshon lojën” i cili ka luajtur “rol kritik në Ukrainë për sigurinë transatlantike”, ndërsa vuri në dukje se avioni i saj luftarak pa pilot “Kizilelma” tërhoqi interes të madh gjatë forumit.
Në pritje u shfaqën një sërë produktesh të mbrojtjes turke, përfshirë tankun kryesor luftarak Altay të prodhuar nga BMC, sistemet e mbrojtjes ajrore nga familja Steel Dome të zhvilluara nga Aselsan dhe Roketsan, sisteme municionesh të kalibrit të rëndë nga ARCA Defense dhe Korporata e Industrisë Mekanike dhe Kimike, dronë nga STM, automjete të blinduara nga Otokar, si dhe platformat e prodhuara nga Nurol Makina dhe FNSS.
Gorgun theksoi se forca e ardhshme e NATO-s do të varet nga aftësitë kolektive dhe jo vetëm nga ato kombëtare. “Ajo që është më e rëndësishme se aftësitë individuale të vendeve janë aftësitë që aleanca do të zhvillojë përmes një fryme partneriteti”, tha ai.
Ai identifikoi kërkesën në rritje, angazhimin e hershëm me industrinë, adoptimin e shpejtë të teknologjive të reja, inovacionin dhe zinxhirët e qëndrueshëm të furnizimit të mbrojtjes si prioritetete kryesore për forcimin e bashkëpunimit midis aleatëve.

