Rusia thotë se droni ukrainas goditi terminalin e naftës në Shën Petersburg

Rusia thotë se droni ukrainas goditi terminalin e naftës në Shën Petersburg

Ukraina ka sulmuar një terminal nafte në portin e Shën Petersburgut në orët e para të mëngjesit, pretenduan të shtunën zyrtarët rusë, transmeton Anadolu.

Guvernatori i Shën Petersburgut, Aleksandr Beglov, tha se qyteti u përball me një sulm të gjerë ukrainas me dronë dhe se mbrojtja ajrore rrëzoi 72 dronë. Një dron u rrëzua në zonën e Peterhofit.

“Sulmi goditi një terminal nafte në rrethin Kirovsky të qytetit. Pasojat janë eliminuar. Nuk pati viktima”, tha Beglov.

Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, konfirmoi sulmin ndaj infrastrukturës së naftës pranë qytetit të dytë më të madh të Rusisë.

“Forcat e Mbrojtjes të Ukrainës goditën infrastrukturën portuale të naftës që gjeneron të ardhura për luftën e Rusisë, ndërsa pati edhe goditje të suksesshme në Kronstadt – një objektiv i rëndësishëm ushtarak. Distanca nga kufiri shtetëror i Ukrainës është më shumë se 850 kilometra”, shkroi ai në platformën amerikane X.

Kanalet lokale në Telegram raportuan më herët për një zjarr në terminalin e naftës në port pas sulmit.

Veçmas, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi në Telegram se mbrojtja ajrore e saj interceptoi ose shkatërroi 389 dronë ukrainas gjatë natës mbi disa rajone ruse, Krimenë, të aneksuar nga Moska në vitin 2014, si dhe mbi Detin Azov dhe Detin e Zi.

MARKETING