Mbretëria e Bashkuar paralajmëron prindërit për publikimin e fotografive të fëmijëve në internet
Agjencia Kombëtare e Krimit e Mbretërisë së Bashkuar (NCA) u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve të shmangin publikimin e fotografive të fëmijëve në internet, duke paralajmëruar për përdorimin në rritje të inteligjencës artificiale për krijimin e materialeve me abuzim seksual ndaj fëmijëve, transmeton Anadolu.
Sipas një raporti të gazetës The Guardian, në udhëzimet e përbashkëta me Fondacionin Internet Watch (IWF), agjencia rekomandoi që familjet t’i bëjnë llogaritë e tyre në rrjetet sociale private ose të kufizojnë shpërndarjen e përmbajtjes vetëm te grupet e “miqve të ngushtë”.
Zyrtarët thanë se nuk synojnë t’u tregojnë prindërve se si duhet t’i përdorin rrjetet sociale, por të rrisin ndërgjegjësimin për rreziqet e reja që lidhen me materialet e krijuara me inteligjencë artificiale që paraqesin abuzim seksual ndaj fëmijëve (CSAM).
Udhëzimet këshillojnë gjithashtu prindërit të rishikojnë fotografitë e vjetra të publikuara tashmë në internet, të kontrollojnë cilësimet e privatësisë dhe të rishqyrtojnë marrëveshjet e dhënies së pëlqimit me shkollat dhe klubet sportive, të nënshkruara përpara zhvillimeve të fundit në teknologjinë e inteligjencës artificiale.
Dokumenti paraqet tre hapa kryesorë, respektivisht forcimin e cilësimeve të privatësisë, kufizimin e qasjes në fotografitë e fëmijëve dhe diskutimin e pëlqimit për ndarjen e fotografive me organizatat.
NCA paralajmëroi se shumë prindër mund të mos jenë të vetëdijshëm se fotografitë e disponueshme publikisht mund të përdoren nga keqbërësit për të krijuar përmbajtje abuzive pa pasur kontakt të drejtpërdrejtë me viktimat.
“Prindi ose kujdestari mesatar nuk publikon një fotografi të një fëmije në internet duke menduar se ajo mund të merret dhe të përdoret për t’u shndërruar në material me abuzim seksual ndaj fëmijëve. Ka shumë prindër dhe kujdestarë që nuk e dinë se ky problem ekziston”, tha tha Lorna Sinclair, menaxhere për edukimin mbi abuzimin seksual ndaj fëmijëve në NCA.

