Kancelari gjerman Merz hedh poshtë kritikat e Trumpit për ndarjen e barrës në NATO

Kancelari gjerman Merz hedh poshtë kritikat e Trumpit për ndarjen e barrës në NATO

Kancelari gjerman Friedrich Merz hodhi poshtë kritikat e presidentit amerikan Donald Trump se aleatët evropianë të NATO-s, veçanërisht Gjermania, nuk po mbajnë barrën e tyre në shpenzimet për mbrojtjen, raporton Anadolu.

Duke folur në një konferencë për media në Berlin, Merz tha se Gjermania po ndërmerr hapa të mëdhenj për të rritur investimet në mbrojtje dhe për të përmbushur objektivat e dakorduara në samitin e NATO-s të vitit 2025 në Hagë.

“Gjermania po dyfishon buxhetin e saj të mbrojtjes brenda katër vjetësh”, u tha Merz gazetarëve, duke shtuar: “Kjo është përpjekja më e madhe që kemi bërë ndonjëherë për të forcuar kapacitetet tona mbrojtëse. Në këtë drejtim, nuk kemi asgjë për t’u turpëruar”.

Në postimet në platformën e tij “Truth Social”, Trump e quajti “absurde” që SHBA-ja të vazhdojë atë që ai e përshkroi si një marrëdhënie “të njëanshme”, në të cilën Washingtoni mban një pjesë joproporcionale të barrës.

Trumpi ndau një grafik që krahason shpenzimet për mbrojtje mes vendeve anëtare të NATO-s dhe shkroi: “Është absurde që SHBA-ja të vazhdojë në këtë rrugë të njëanshme kur marrëdhënia nuk është reciproke. Ata nuk ishin aty për ne!!!”.

Në një postim të mëhershëm, ai veçoi Gjermaninë: “SHBA-ja shpenzon më shumë para për NATO-n se çdo vend tjetër, me diferencë të madhe, për t’i mbrojtur ata, pa marrë asnjë përfitim nga kjo. Të tjerët, përfshirë Gjermaninë, janë shumë më poshtë. (2014-2025) Absurde!”.

MARKETING