SHBA-ja refuzon juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare mbi shtetasit amerikanë

SHBA-ja refuzon juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare mbi shtetasit amerikanë

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka njoftuar se zyrtari më i lartë amerikan për zbatimin e ligjit i ka bërë të ditur kreut të Gjykatës Penale Ndërkombëtare se SHBA-ja refuzon çdo pretendim të gjykatës për juridiksion mbi shtetasit amerikanë, transmeton Anadolu.

Në një letër dërguar presidentes së Gjykatës Penale Ndërkombëtare, gjyqtares Tomoko Akane, ushtruesi i detyrës së prokurorit të përgjithshëm të SHBA-së, Todd Blanche, argumentoi se, meqenëse SHBA-ja nuk janë palë në Statutin e Romës, traktatin që themeloi gjykatën, ato nuk kanë dhënë kurrë pëlqimin e tyre për juridiksionin e gjykatës.

“Gjykata Penale Ndërkombëtare ka vepruar në një mënyrë gjithnjë e më të paligjshme dhe jolegjitime”, shkroi Blanche.

“Historia e saj e zbatimit selektiv të ligjit dhe akuzat e besueshme për sjellje të pahijshme brenda institucionit ngrejnë dyshime serioze mbi paanshmërinë, besueshmërinë dhe legjitimitetin e gjykatës”, tha ai.

Letra i referohet gjithashtu Aktit për Mbrojtjen e Personelit Ushtarak Amerikan të vitit 2002, i cili refuzon juridiksionin e gjykatës mbi pjesëtarët e forcave amerikane (kryesisht anëtarët e ushtrisë), zyrtarët qeveritarë dhe civilët amerikanë.

Ky ligj ndalon bashkëpunimin e SHBA-së me gjykatën dhe autorizon presidentin të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme dhe të përshtatshme për të siguruar lirimin e çdo shtetasi amerikan të ndaluar në bazë të një urdhër-arresti ose kërkese të gjykatës.

Sipas Blanche, SHBA-ja nuk do të bashkëpunojë me asnjë hetim, procedurë hetimore, thirrje apo proces gjyqësor të gjykatës që përfshin shtetas amerikanë.

“Departamenti i Drejtësisë është plotësisht i angazhuar për mbrojtjen e sovranitetit të vendit tonë dhe mbrojtjen e të drejtave të shtetasve amerikanë kundër tejkalimit të paligjshëm të kompetencave ndërkombëtare”, shkroi ai.

“SHBA-ja nuk do t’ia nënshtrojë lirinë dhe sigurinë e popullit tonë një tribunali të huaj në Hagë, i cili nuk mban përgjegjësi ndaj asnjë elektorati dhe nuk ka detyrim ndaj Kushtetutës”, theksoi ai.

MARKETING