Piloti amerikan vritet në Indonezi, avioni i tij digjet në pistë

Piloti amerikan vritet në Indonezi, avioni i tij digjet në pistë

Një pilot amerikan është vrarë në rajonin Papua të Indonezisë pasi persona të paidentifikuar i vunë zjarrin avionit të tij, transmeton Anadolu.

Sipas një raporti nga Jakarta Globe, avioni u dogj pasi u ul në një pistë të largët ajrore në provincën Papua Malore.

Raportohet se avioni transportonte shtatë pasagjerë përveç pilotit, ndërkohë nuk ka raportime për dëmtime të pasagjerëve.

Autoritetet indoneziane po hetojnë incidentin dhe nuk kanë konfirmuar nëse rebelët separatistë që veprojnë në rajon janë përgjegjës, duke theksuar se ende nuk e kanë përcaktuar shkakun e ngjarjes.

Ministria e Transportit e Indonezisë tha se kishte marrë një raport paraprak nga drejtuesi i autoritetit aeroportual të rrethit Wamena, i cili konfirmonte se piloti Nicholas F. Gosselin, shtetas amerikan, kishte humbur jetën.

Ministria tha se hetuesit dhe agjencitë përkatëse po punojnë për të verifikuar rrjedhën e ngjarjeve dhe për të përcaktuar faktet që lidhen me sulmin.

Komunikimi me pistën ajrore humbi menjëherë pasi avioni ishte ulur herët në mëngjesin e sotëm.

Zet Salino, shefi i policisë së rrethit Yahukimo, ku ndodhet pista ajrore, tha se autoritetet kishin dëgjuar pretendime se avionit i ishte vënë zjarri nga anëtarë të Grupit të Armatosur Kriminal (KKB), term që zyrtarët indonezianë përdorin për t’iu referuar grupeve të armatosura separatiste që veprojnë në Papua.

Ai tha se zyrtarët nuk ishin në gjendje të verifikonin menjëherë gjendjen e avionit apo të pilotit, pasi vendi i largët është i arritshëm vetëm me rrugë ajrore.

Sipas Kompas TV, Ushtria Çlirimtare Kombëtare e Papuas Perëndimore (TPNPB) ka marrë përgjegjësinë për sulmin, përfshirë edhe vdekjen e pilotit.

Nga pala amerikane nuk ka pasur ndonjë deklaratë deri në momentin e publikimit të këtij lajmi.

Papua prej kohësh është përballur me një kryengritje separatiste të intensitetit të ulët, ndërsa shërbimet ajrore shpesh përbëjnë mjetin e vetëm të transportit për shumë komunitete të izoluara.

Edhe avionë të vegjël komercial dhe avionë të linjave pionere që operojnë në rajon kanë qenë objektiv i sulmeve edhe në të kaluarën.

MARKETING