UNICEF: Përdorimi i inteligjencës artificiale nga fëmijët është më shumë se tri herë më i lartë se ai i të rriturve
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) tha të martën se fëmijët po përdorin teknologjitë e inteligjencës artificiale (IA) me ritme më shumë se tri herë më të shpejta se të rriturit, duke u bazuar në të dhëna të reja nga dhjetë vende, transmeton Anadolu.
“IA-ja është këtu. Ajo është një pjesë në rritje e jetës së të gjithëve. Dhe tashmë po formëson fëmijërinë në mbarë botën – për mirë dhe për keq”, tha UNICEF-i në një deklaratë përpara Dialogut të parë Global mbi Qeverisjen e IA-së.
Agjencia vlerësoi se të paktën 20 milionë fëmijë kanë përdorur IA-në, ndërsa mbi 2 milionë të tjerë, ose një në dhjetë, kanë thënë se i drejtohen asaj për këshilla për gjërat që i shqetësojnë.
Rreth 13 milionë fëmijë kanë thënë se përdorin IA-në për të mbështetur mësimin dhe detyrat e shtëpisë.
“Fëmijët janë më të ekspozuar ndaj sistemeve të IA-së – përfshirë mënyrën se si ato janë dizajnuar, modelet e tyre të biznesit dhe si përdoren të dhënat e tyre – por kanë shumë më pak fuqi për t’i shmangur ose sfiduar ato”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se fëmijët “i ndiejnë të parët efektet e mungesës së qeverisjes së duhur dhe do të jetojnë më gjatë me pasojat”.
UNICEF-i tha se një e treta e fëmijëve në dhjetë vendet e anketuara kanë shprehur shqetësim se IA-ja mund të përdoret për mashtrime dhe dezinformim, ndërsa një e katërta kanë pasur frikë se imazhet apo videot e tyre mund të manipulohen në forma seksuale të rreme (deepfake).
“Shumë sisteme po u arrijnë fëmijëve pa masa mbrojtëse – siguria, në dukje, është një mendim i mëvonshëm”, tha agjencia.
UNICEF-i u bëri thirrje qeverive, sektorit privat dhe partnerëve që të përfshijnë të drejtat e fëmijëve në qeverisjen globale të IA-së, duke përfshirë investime në kërkime për rreziqet e IA-së për fëmijët, forcimin e ligjeve kundër shfrytëzimit seksual të mundësuar nga IA-ja, sigurimin e dizajnit të sigurt dhe transparent të IA-së, rritjen e njohurive digjitale dhe ngushtimin e hendekut digjital.
“Ky është një moment vendimtar. Zgjedhjet që bëhen tani për IA-në do të formësojnë sigurinë, privatësinë, mirëqenien dhe mundësitë e barabarta të fëmijëve për dekada me radhë”, tha UNICEF-i.

