Lavrov: Mohimi i Rubios për një marrëveshje mes Rusisë dhe SHBA-së në Alaskë ishte “jo elegant”
Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, ka deklaruar se komentet e fundit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili mohoi se ishte arritur një marrëveshje mes Moskës dhe Washingtonit për Ukrainën gjatë një samiti në Alaskë vitin e kaluar, ishin “jo elegante”, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim të ministrisë, në përgjigje të një pyetjeje nga media, Lavrov dha detaje mbi diskutimet që u zhvilluan gjatë samitit mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit amerikan, Donald Trump, në qytetin Anchorage të Alaskës, në gusht të vitit të kaluar.
Lavrov shpjegoi se disa ditë para samitit, i dërguari special amerikan, Steve Witkoff, mbërriti në Moskë me propozime nga presidenti Trump, ndërsa presidenti Putin u zotua se do të paraqesë përgjigjen e tij ndaj këtyre propozimeve gjatë takimit në Alaskë.
Ai tha se propozimet u diskutuan më pas pikë për pikë gjatë samitit dhe se Putin e pyeti Witkoffin, në praninë e Trumpit dhe Rubios, pas çdo pike, nëse ai kishte kuptuar saktë idetë që ishin paraqitur në Moskë disa ditë më parë.
Sipas Lavrovit, Witkoff iu përgjigj pozitivisht secilës prej këtyre pyetjeve, duke e bërë ministrin rus të vinte në pikëpyetje deklaratën e Rubios se në samitin e Alaskës ishin paraqitur vetëm propozime dhe jo marrëveshje.
“Nëse njëra palë, në këtë rast SHBA-ja, paraqet propozimet e saj për një zgjidhje, për një qasje ndaj zgjidhjes së kësaj krize dhe pala tjetër shpreh pajtim me këto propozime, atëherë të thuhet se nuk është arritur asnjë marrëveshje duket, për ta thënë butë, disi jo elegante”, tha Lavrov.
Ministri rus gjithashtu bëri thirrje për “sqarime” lidhur me “gjithë situatën” sa i përket rolit të SHBA-së si ndërmjetësuese në luftën që vazhdon në Ukrainë.
Komentet e Lavrovit erdhën pasi Rubio, një ditë më parë, mohoi se ishte arritur ndonjë marrëveshje mes Moskës dhe Washingtonit.
“Në Alaskë pati një propozim, por nuk pati një marrëveshje në Alaskë. Nëse do të kishte pasur një marrëveshje, lufta do të kishte përfunduar”, tha Rubio.
Ditët e fundit, zyrtarë rusë kanë akuzuar SHBA-në se po largohet nga ato që ata i kanë përshkruar si “mirëkuptime” të arritura në Alaskë.
Më herët gjatë kësaj jave, Lavrov argumentoi gjithashtu se SHBA-ja dukej se po tërhiqej nga deklaratat e saj për të qenë një “ndërmjetës objektiv” në lidhje me luftën në Ukrainë dhe në vend të kësaj po ndiqte një kurs të “rritjes së presionit përmes sanksioneve ndaj Rusisë”.
Sekretari amerikan i Shtetit ende nuk ka komentuar mbi deklaratat më të fundit të Lavrovit.

