Shtëpia e Bardhë u thotë republikanëve të presin “kërkesën për financimin e luftës” deri në fund të javës
Administrata e presidentit Donald Trump ka informuar republikanët kryesor në Kongres e SHBA-së se planifikon të paraqesë deri në fund të javës një kërkesë shtesë për financimin e luftës me Iranin, transmeton Anadolu.
Siç raporton Politico, kërkesa pritet të arrijë në rreth 80 miliardë dollarë, duke cituar pesë persona të njohur me çështjen.
Sipas raportit, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, të angazhuar në çështjet buxhetore, presin se Senati mund të kërkojë përfshirjen e shpenzimeve shtesë, përfshirë ndihmën për fatkeqësitë natyrore dhe mbështetjen për bujqësinë, duke zgjeruar potencialisht fushëveprimin e legjislacionit.
Kërkesa e pritshme prej 80 miliardë dollarësh është dukshëm më e vogël se paketa prej rreth 200 miliardë dollarësh që zyrtarët e administratës thuhet se kishin shqyrtuar më herët gjatë luftës.
Ushtria amerikane është përballur me rritje të kostove nga disa operacione, përfshirë luftën me Iranin, e cila sipas Pentagonit kushtonte 29 miliardë dollarë në mesin e muajit maj dhe me sa duket do të jetë edhe më e lartë tani.
Këtu përfshihen gjithashtu fushata në Venezuelë, që rezultoi me kapjen e udhëheqësit të atij vendi, si dhe misionet kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe në Paqësorin lindor.
Shumë demokratë kanë kundërshtuar luftën dhe pritet t’i rezistojnë çdo legjislacioni për financimin e saj, duke argumentuar se veprimi ushtarak nuk kishte autorizim nga Kongresi dhe për këtë arsye ishte i paligjshëm.
Çdo kërkesë e Pentagonit për fonde shtesë duhet të miratohet fillimisht nga Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit e Shtëpisë së Bardhë përpara se t’i paraqitet Kongresit. Buxheti i Departamentit amerikan të Mbrojtjes për vitin fiskal 2026 arrin në rreth 1 trilion dollarë.

