Liderët e Grupit E5 riafirmojnë përkushtimin ndaj sigurisë euro-atlantike dhe lidhjes transatlantike
Udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar riafirmuan përkushtimin e tyre ndaj sigurisë euro-atlantike dhe lidhjeve transatlantike, teksa përgatiten për samitin e NATO-s në Ankara, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas një takimi në Berlin, liderët theksuan rëndësinë e rolit të SHBA-së në aleancë dhe ranë dakord të punojnë së bashku për një samit të suksesshëm më 7-8 korrik.
“Liderët riafirmuan përkushtimin e tyre të palëkundur ndaj sigurisë euro-atlantike dhe lidhjes transatlantike, duke njohur rolin jetik që SHBA-ja vazhdon të luajë në aleancë”, thuhet në deklaratën e publikuar nga qeveria britanike.
Pesë vendet shprehën gjithashtu vendosmërinë për të ndërtuar “një Evropë më të fortë brenda një NATO-je më të fortë” dhe për të avancuar bashkëpunimin më të ngushtë në industrinë e mbrojtjes.
Liderët ranë dakord të forcojnë rolin e Evropës brenda NATO-s, të rrisin kontributet për aktivitetet e aleancës në fushën e parandalimit dhe mbrojtjes, si dhe të thellojnë bashkëpunimin në fusha si mbrojtja ajrore, sistemet pa pilot, inteligjenca artificiale dhe kapacitetet për sulme me rreze të gjatë, duke koordinuar ngushtë edhe me SHBA-në.
Ata u zotuan gjithashtu për vazhdimin e mbështetjes ndaj Ukrainës në mbrojtjen e saj kundër Rusisë, përfshirë ndihmën ushtarake, sanksionet dhe mbështetjen për qëndrueshmërinë e sektorit energjetik ukrainas.
Deklarata thotë se liderët mbështesin propozimet për dialog të drejtpërdrejtë mes Ukrainës dhe Rusisë me pjesëmarrje aktive si të SHBA-së ashtu edhe të Evropës, duke riafirmuar angazhimin e tyre për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
Liderët mirëpritën gjithashtu Memorandumin e Mirëkuptimit SHBA-Iran, duke e cilësuar atë si një mundësi për rikthimin e stabilitetit rajonal dhe mbështetjen e ekonomisë globale.
Ata përsëritën se Irani “nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore” dhe konfirmuan gatishmërinë për të marrë pjesë në një mision shumëkombësh të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca për mbrojtjen e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, në varësi të kushteve dhe kërkesave kombëtare.

