Kina: Pakti SHBA-Iran dërgon “sinjal pozitiv”, duhet të ruhet dhe zbatohet bashkërisht
Kina tha se Memorandumi i Mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit, i njohur si “Memorandomi i Mirëkuptimit i Islamabadit”, ka dërguar “sinjal pozitiv” dhe duhet të mbrohet dhe zbatohet në mënyrë të përbashkët, raporton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun tha për gazetarët në Pekin se Kina “mbështet dialogun dhe negociatat” në trajtimin e çështjeve rajonale dhe mosmarrëveshjeve mes palëve si dhe “kundërshton kërcënimin ose përdorimin e forcës”.
Ai shtoi se “Pekini gjithmonë mban një qëndrim të drejtë, mbështet të gjitha përpjekjet që kontribuojnë për paqen, mbështet palën iraniane në mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë dhe territorit, si dhe dinjitetit kombëtar dhe mbështet Iranin në përmirësimin e marrëdhënieve me shtetet e Gjirit dhe vendet e rajonit”.
Irani dhe SHBA-ja njoftuan më 14 qershor se kishin arritur një mirëkuptim me 14 pika, të ndërmjetësuar nga Pakistani, me synim përfundimin e luftës dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes dialogut dhe negociatave.
Marrëveshja, e njohur si “Memorandumi i Mirëkuptimit i Islamabadit”, hyri në fuqi më 18 qershor pasi u nënshkrua në mënyrë elektronike nga presidenti iranian Masoud Pezeshkian dhe presidenti amerikan Donald Trump.
Marrëveshja përfshin dispozita për përfundimin e luftës, përfshirë edhe në Liban, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj Iranit.

