Kalifornia shpall gjendje emergjence për shkak të zjarrit në një magazinë në Los Anxhelos

Kalifornia shpall gjendje emergjence për shkak të zjarrit në një magazinë në Los Anxhelos

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka shpallur gjendje emergjence në përgjigje të zjarrit që ka përfshirë prej disa ditësh një objekt të ruajtjes së ushqimeve të ngrira në lagjen Boyle Heights të Los Anxhelosit, transmeton Anadolu.

Mediat lokale raportojnë se shpallja erdhi teksa zjarrfikësit vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët, të cilat nisën të mërkurën dhe kanë ndikuar në cilësinë e ajrit në pjesë të ndryshme të rajonit.

“Kalifornia po mobilizohet për të mbështetur Los Anxhelosin, ndërsa zjarrfikësit dhe personeli i emergjencës vazhdojnë punën për të kontrolluar këtë zjarr dhe për të mbrojtur komunitetet përreth”, tha Newsom.

Zyrtarët shtetërorë thanë se po përgatiten 5.5 milionë maska N95, pastrues ajri, ujë të ambalazhuar dhe furnizime të tjera emergjente, ndërsa po zgjerohet monitorimi i cilësisë së ajrit.

Kryetarja e Bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass, më herët shpalli gjendje të emergjencës lokale, duke theksuar se autoritetet janë të shqetësuara për ndikimet e mundshme në shëndetin e komuniteteve pranë zonës së prekur.

“Është e qartë se kemi nevojë për burime nga shteti për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për t’u siguruar që kjo zonë të jetë e sigurt”, tha Bass.

Zyrtarët thanë se më shumë se 39 milionë kilogramë ushqime të ngrira të ruajtura në objekt mund të fillojnë të dekompozohen, duke ngritur shqetësime për kushte të mundshme biologjikisht të rrezikshme.

Shefi i Departamentit të Zjarrfikësve të Los Anxhelosit, Jaime Moore, tha se substancat ftohëse të rrezikshme, përfshirë amoniakun, tashmë janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas raportit, ekipet e zjarrfikësve kanë angazhuar helikopterë të aftë të hedhin deri në 3.000 galonë ujë në një herë dhe po përdorin substanca xhelatinoze kundër zjarrit për të përshpejtuar përpjekjet për shuarjen e flakëve.

Një paralajmërim për praninë e tymit mbeti në fuqi edhe të dielën, ndërsa zjarrfikësit vazhdonin betejën me flakët.

MARKETING