Parlamenti i Iranit, IRGC-ja dhe ushtria mbështesin kushtet e udhëheqjes në marrëveshjen me SHBA-në
Komisioni i Sigurisë Kombëtare dhe Politikës së Jashtme i parlamentit iranian, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe ushtria, të premten shprehën mbështetje për kushtet e udhëheqjes lidhur me memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar së fundmi me SHBA-në, ndërsa theksuan gatishmërinë ndaj çdo shkeljeje të mundshme të marrëveshjes, raportoi agjencia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Komisioni i Sigurisë Kombëtare i parlamentit e përshkroi “Memorandumin e Islamabadit” si një kornizë të re për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare dhe tha se ligjvënësit do të monitorojnë nga afër nëse kushtet e vendosura nga udhëheqja e Iranit zbatohen plotësisht.
Komisioni tha se mban “mosbesim absolut” ndaj SHBA-së dhe theksoi se parlamenti do të përdorë rolin e tij mbikëqyrës për të monitoruar zbatimin e marrëveshjes.
Në një mesazh të veçantë drejtuar Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ayatollah Seyed Mojtaba Khamenei, IRGC-ja tha se përballja ushtarake e fundit e kishte detyruar SHBA-në të tërhiqej nga qëndrimet e mëparshme dhe të kërkonte negociata.
IRGC-ja tha se forcat e armatosura të Iranit mbeten të gatshme të mbështesin udhëheqjen politike të vendit dhe paralajmëruan se çdo shkelje e ardhshme e të drejtave të Iranit do të përballet me një përgjigje më të fortë në tokë, det dhe ajër.
Edhe ushtria iraniane tha se forcat e saj mbeten “në gatishmëri të lartë” dhe të përgatitura për të mbrojtur sigurinë, dinjitetin dhe interesat kombëtare në rast të ndonjë shkeljeje të marrëveshjes.
Ushtria tha se përpjekjet ushtarake dhe diplomatike të Iranit e kishin shtyrë SHBA-në drejt një armëpushimi dhe mirëkuptimi, por theksoi se gatishmëria luftarake do të vazhdojë të rritet.
Deklaratat erdhën dy ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian nënshkruan në mënyrë elektronike “Memorandumin e Mirëkuptimit të Islamabadit”, të ndërmjetësuar nga kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif.
Memorandumi synon të hapë rrugën për përfundimin e konfliktit të nisur nga SHBA-ja kundër Iranit më 28 shkurt dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit si pjesë e përpjekjeve më të gjera për shpërshkallëzim.

