Haxhiu kërkon mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Haxhiu kërkon mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, transmeton Anadolu.

Zyra e Presidentes njoftoi se në takim u bisedua për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë, për koordinimin në politikën e jashtme, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet dy vendeve.

Haxhiu theksoi se afërsia historike, gjuhësore dhe kombëtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet një bazë e fortë për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe për projekte që u shërbejnë drejtpërdrejt qytetarëve të të dyja vendeve.

“Ju keni qenë zëri i Kosovës kur Kosova nuk kishte zë”, i tha Haxhiu ministrit shqiptar, duke vlerësuar përvojën e tij të gjatë diplomatike në përfaqësimin e Shqipërisë në organizata dhe forume ndërkombëtare.

Një pjesë e takimit iu kushtua rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.

Haxhiu kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Shqipërisë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, për marrjen e pyetësorit të Bashkimit Evropian (BE), si dhe për afrimin e mëtejshëm të Kosovës me NATO-n dhe Partneritetin për Paqe.

Ajo theksoi se Kosova dhe Shqipëria duhet ta vazhdojnë koordinimin e ngushtë në të gjitha forumet ndërkombëtare, në shërbim të forcimit të pozitës së Kosovës dhe interesave të përbashkëta në rajon dhe në Evropë.

MARKETING