Identifikohet “pacienti zero” i hantavirusit në anijen MV Hondius, si pasioni për zogjtë i kushtoi jetën

Identifikohet “pacienti zero” i hantavirusit në anijen MV Hondius, si pasioni për zogjtë i kushtoi jetën

Ornitologu holandez Leo Schilperoord është identifikuar si “pacienti zero” në shpërthimin vdekjeprurës të hantavirusit të lidhur me anijen turistike MV Hondius, sipas një raportimi të New York Post.

70-vjeçari, i apasionuar pas vëzhgimit të zogjve, besohet se e kontraktoi virusin gjatë një vizite në një vendgrumbullim mbetjesh pranë qytetit jugor argjentinas të Ushuaias. Autoritetet shëndetësore dyshojnë se ai u infektua me llojin e rrallë të hantavirusit të Andeve, i vetmi variant i njohur që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu.

Schilperoord ishte personi i parë që humbi jetën nga virusi në bordin e anijes.

Ai dhe bashkëshortja e tij, Mirjam Schilperoord, 69 vjeç, ishin nga fshati holandez Haulerwijk dhe kishin kaluar muaj të tërë duke udhëtuar në Amerikën e Jugut. Çifti kishte vizituar Kilin dhe Uruguain përpara se të rikthehej në Argjentinë në fund të marsit të vitit 2026.

Të njohur në rrethet holandeze të ornitologjisë, ata kishin bashkëautorësi në një studim mbi patat me këmbë rozë për revistën ornitologjike holandeze Het Vogeljaar në vitin 1984.

Ekspeditat e tyre për vëzhgimin e zogjve i kishin çuar në vende të ndryshme të botës. Në vitin 2013, ata realizuan një tur privat 12-ditor për vëzhgimin e zogjve dhe jetës së egër në Sri Lanka, ku më pas shkruan për vrojtimin e bufit të rrallë Serendib Scops.

Sipas raportimeve, çifti vizitoi më 27 mars vendgrumbullimi e mbetjeve në Ushuaia, zonë në të cilën autoritetet argjentinase dyshojnë se çifti holandez thithi grimca të ardhura nga jashtëqitjet e minjve të orizit, me bisht të gjatë. Banorët vendas e shmangin zonën për shkak të mbetjeve ndërsa ajo konsiderohet një vend i njohur për vëzhguesit e zogjve që kërkojnë të shohin karakarën me fyt të bardhë, e njohur edhe si karakara e Darvinit.

“Është e zakonshme që vëzhguesit e zogjve të vizitojnë këtë vend sepse ka shumë zogj”, deklaroi për Ansa Latina fotografi dhe udhërrëfyesi vendas Gaston Bretti. “Është një mal me mbeturina që sot e ka tejkaluar shumë limitin e vendosur fillimisht nga autoritetet.”

Sipas autoriteteve shëndetësore, pikërisht në këtë zonë çifti mund të jetë ekspozuar ndaj virusit të Andeve, i cili transmetohet nga minjtë xhuxhë me bisht të gjatë. Virusi përhapet përmes thithjes së grimcave të aerosolizuara nga urina ose jashtëqitjet e brejtësve të infektuar.

Ndryshe nga llojet e tjera të hantavirusit, varianti i Andeve mund të transmetohet edhe nga personi te personi përmes kontaktit të ngushtë dhe të zgjatur.

Çifti hipi në anijen MV Hondius në Ushuaia më 1 prill. Brenda pak ditësh, Leo Schilperoord nisi të shfaqte simptoma si temperaturë e lartë, dhimbje koke, dhimbje stomaku dhe diarre. Gjendja e tij u përkeqësua me shpejtësi dhe ai vdiq në bord më 11 prill.

Anija ekspedituese, e operuar nga një kompani holandeze, kishte në bord edhe 112 pasagjerë të tjerë, shumë prej tyre shkencëtarë dhe entuziastë të vëzhgimit të zogjve.

Më 24 prill, gjatë një ndalese të planifikuar në Saint Helena në Atlantikun Jugor, Mirjam Schilperoord zbriti nga anija me trupin e bashkëshortit të saj. Ajo udhëtoi drejt Johannesburg me synimin për të marrë një fluturim të kompanisë KLM drejt Holandës, por stafi i linjës ajrore e konsideroi shumë të sëmurë për të udhëtuar.

Ajo humbi ndjenjat në aeroportin e Johanesburgut dhe vdiq një ditë më vonë, me shumë gjasa si pasojë e të njëjtit virus.

Në Haulerwijk, revista lokale e fshatit i kushtoi çiftit një homazh emocional: “Si zogjtë në fluturim. Do të na mungoni ju dhe historitë tuaja.” /Euronews.al

MARKETING