Bahreini arreston 41 persona të lidhur me IRGC-në e Iranit
Dyzet e një anëtarë të një grupi të lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) janë arrestuar në Bahrein, njoftoi sot Ministria e Brendshme e vendit, raportoi agjencia shtetërore BNA, transmeton Anadolu.
Ky veprim ka ardhur si rezultat i raporteve të sigurisë dhe hetimeve të kryera nga prokuroria publike për raste spiunazhi dhe ndërhyrjeje të huaj.
Procedurat ligjore ndaj të ndaluarve janë duke vazhduar, ndërsa operacionet e kërkimit dhe hetimit po vijojnë “kundër çdo personi që vërtetohet se është i përfshirë në aktivitetet e kësaj organizate ose në veprime që shkelin ligjin”.
Autoritetet e Bahreinit kishin arrestuar më herët edhe persona të tjerë që, sipas tyre, ishin të lidhur me IRGC-në, në mes të përshkallëzimit rajonal që nisi me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt.
Në përgjigje, Teherani kreu sulme kundër Izraelit si dhe ndaj aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, duke përfshirë edhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por bisedimet në Islamabad nuk sollën një marrëveshje afatgjatë. Armëpushimi më pas u zgjat nga Trump pa një afat të caktuar, duke hapur rrugën për diplomaci.

