Kreu i Këshillit Evropian Costa: E ardhmja e Shqipërisë është në BE
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në një videomesazh me rastin e Ditës së Evropës, iu drejtua qytetarëve të Shqipërisë, duke i cilësuar ata si “anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian”, transmeton Anadolu.
Në mesazhin e tij, Costa tha se Dita e Evropës shënon projektin e përbashkët evropian, kur vendet themeluese të BE-së zgjodhën unitetin në vend të ndarjes dhe bashkëpunimin në vend të konfliktit, për të ndërtuar një të ardhme paqeje, lirie dhe prosperiteti pas Luftës së Dytë Botërore.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian beson se e ardhmja e Shqipërisë është në BE, duke vlerësuar përparimin e vendit në procesin e negociatave gjatë vitit të fundit.
Costa gjithashtu inkurajoi Shqipërinë të vazhdojë me ritmin e reformave, duke shtuar se së bashku do të ndërtohet një e ardhme e përbashkët evropiane.
Me mesazhe të ngjashme, Costa u është drejtuar edhe vendeve të tjera aspiruese për në BE, përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.

