SHBA, një person pranon fajësinë për sulmin ndaj përfaqësueses demokrate Ilhan Omar
Një person nga Minneapolisi u deklarua fajtor të enjten pasi përdori një shiringë për të spërkatur me uthull përfaqësuesen demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve të lindur në Somali, Ilhan Omar, gjatë një takimi në bashki janarin e kaluar, transmeton Anadolu.
Prokurori amerikan Daniel N. Rosen tha se Anthony James Kazmierczak 55-vjeç, u deklarua fajtor për një akuzë për sulm ndaj një zyrtare amerikane në Gjykatën e Qarkut të SHBA-së, tha një deklaratë Zyra e Prokurorit të SHBA-së, Distrikti i Minesotës.
Më 27 janar, Kazmierczak u ul në rreshtin e parë në një takim zyrtar në bashki në Minneapolis të organizuar nga përfaqësuesja amerikane Ilhan Omar, kur u ngrit dhe iu afrua Omar-it ndërsa ajo po fliste.
“Kazmierczak e spërkati përfaqësuesen Omar me uthull molle nga një shiringë, e cila ra në rrobat dhe lëkurën e përfaqësueses Omar. Analiza laboratorike konfirmoi se lëngu përmbante acid acetik”, tha deklarata.
Gjatë një seance dëgjimore për ndryshimin e fajësisë, Kazmierczak pranoi se “ai e planifikoi sulmin dhe se nuk ishte dakord me pikëpamjet politike të përfaqësueses Omar”.
“Ky sulm është një tjetër shembull i një trendi të rrezikshëm kombëtar: njerëzit që e kanalizojnë urrejtjen politike në akte kriminale”, tha prokurori i SHBA-së, Daniel N. Rosen.
“Dhuna politike është një plagë për demokracinë tonë. FBI-ja nuk do të tolerojë sulmet ndaj zyrtarëve të zgjedhur ose kujtdo që i shërben kombit tonë”, tha agjenti special i Divizionit të FBI-së në Minneapolis, Christopher D. Dotson.
Një datë dënimi për Kazmierczakun nuk është caktuar ende nga Gjykata e Qarkut të SHBA-së.

