Përfundojnë afatet zgjedhore – 22 parti marrin pjesë, VV në koalicion me partnerët ekzistues
Ka përfunduar afati i vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për partitë politike në Kosovë për të njoftuar pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme, si dhe për formimin e koalicioneve.
Sipas të dhënave të KQZ-së, deri më 7 maj 2026 në orën 24:00, gjithsej 22 parti politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje, 9 parti kanë njoftuar mospjesëmarrjen, ndërsa janë formuar 3 koalicione të përbëra nga 9 parti politike.
Ndër koalicionet e regjistruara figuron edhe ai i udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila do të garojë së bashku me Guxo, Alternativa dhe Partinë Shqiptare Demokristiane, duke vazhduar bashkëpunimin me partnerët e mëparshëm.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se procesi i njoftimit për pjesëmarrje apo mospjesëmarrje është i ndarë nga certifikimi i subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë.
Ai shtoi se afati për aplikim të subjekteve të reja politike (koalicione, nisma qytetare dhe kandidatë të pavarur) përfundon më 10 maj, ndërsa dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë vazhdon deri më 12 maj 2026.
KQZ thekson se partitë politike të regjistruara konsiderohen automatikisht të certifikuara për zgjedhje, ndërsa procesi aktual vlen kryesisht për subjektet e reja politike.

