Rubio takon Papa Leonin, Lindja e Mesme në krye të bisedimeve në Vatikan

Rubio takon Papa Leonin, Lindja e Mesme në krye të bisedimeve në Vatikan

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio u takua të enjten në Vatikan me Papa Leonin XIV, duke u përqendruar në bisedimet mbi Lindjen e Mesme dhe prioritetet e përbashkëta, transmeton Anadolu.

“Takimi nënvizoi marrëdhënien e fortë midis Washingtonit dhe Selisë së Shenjtë dhe angazhimin e tyre të përbashkët për të promovuar paqen dhe dinjitetin njerëzor”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.

Rubio gjithashtu zhvilloi diskutime të ndara mbi bashkëpunimin e ndërsjellë dhe çështjet urgjente ndërkombëtare me kardinalin Pietro Parolin, sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë.

Të dy zyrtarët shqyrtuan përpjekjet humanitare në hemisferën perëndimore dhe mënyrat për të arritur paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Rubio përshëndeti mbërritjen e fundit të kryepeshkopit Caccia si Nunci i ri Apostolik në SHBA gjatë takimit, sipas Pigott.

Diskutimet pasqyruan “partneritetin e qëndrueshëm” midis SHBA-së dhe Selisë së Shenjtë në avancimin e lirisë fetare, sipas Departamentit të Shtetit.

Vatikani i përshkroi diskutimet si “të përzemërta”, me të dyja palët që riafirmuan angazhimin e tyre të përbashkët për të kultivuar marrëdhënie të mira dypalëshe midis Selisë së Shenjtë dhe SHBA-së”.

Bisedimet u përqendruan në çështjet ndërkombëtare dhe rajonale, veçanërisht konfliktet, paqëndrueshmërinë politike dhe krizat humanitare, duke nënvizuar rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme për paqe, sipas një komunikate nga zyra për media e Selisë së Shenjtë.

Diskutimet përfshinë situatat në disa vende afrikane dhe të Lindjes së Mesme, përfshirë Libanin dhe Iranin. Gjithashtu u diskutua për Kubën dhe tensionet e fundit në marrëdhëniet midis Washingtonit dhe Havanës.

MARKETING