8 mijë trupa ende nën rrënojat e Gazës, më pak se 1 për qind e enklavës është pastruar

8 mijë trupa ende nën rrënojat e Gazës, më pak se 1 për qind e enklavës është pastruar

Sipas një raporti që citon një zyrtar të OKB-së, rreth 8 mijë trupa palestinezësh besohet se ndodhen ende nën rrënoja në Rripin e Gazës, ku është pastruar më pak se 1 për qind e mbeturinave pas luftës dyvjeçare gjenocidale të Izraelit ndaj enklavës, transmeton Anadolu.

Gazeta Haaretz, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar nga Programi i Zhvillimit i OKB-së (UNDP), tha se ritmi i ngadaltë i largimit të rrënojave nënkupton se procesi i pastrimit mund të zgjasë deri në shtatë vjet.

“Mijëra trupa vazhdojnë të jenë të varrosur nën ndërtesat e shembura në të gjithë enklavën”, tha zyrtari, ndërsa familjet vazhdojnë të presin për të nxjerrë dhe varrosur të afërmit e tyre.

Vlerësimi bazohet në të dhënat e autoriteteve palestineze të mbrojtjes civile, të cilat kanë paralajmëruar për mungesa të rënda të pajisjeve dhe kapaciteteve, duke ngadalësuar përpjekjet për pastrimin e zonave të mëdha të shkatërruara.

Izraeli ka vazhduar të kryejë shkelje të përditshme të marrëveshjes së armëpushimit të nënshkruar tetorin e kaluar, vetëm që atëherë duke vrarë 828 palestinezë dhe duke plagosur 2.342 të tjerë.

Armëpushimi synonte t’i jepte fund ofensivës 2-vjeçare izraelite ndaj Gazës, e cila la më shumë se 72 mijë të vrarë dhe 172 mijë të plagosur, si dhe shkatërroi 90 për qind të infrastrukturës civile.

OKB-ja vlerëson se kostot e rindërtimit arrijnë në rreth 70 miliardë dollarë.

MARKETING