Kosova dhe Shqipëria rikthejnë kalimin kufitar pa kontrolle
Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nga 1 maji kanë rikthyer zyrtarisht regjimin e kalimit pa kontrolle kufitare për automjetet me targa të të dyja vendeve, transmeton Anadolu.
Masa do të jetë në fuqi deri më 30 shtator 2026 dhe pritet të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen gjatë sezonit veror, kur fluksi i udhëtarëve rritet ndjeshëm.
Sipas marrëveshjes, automjetet me targa shqiptare dhe kosovare do të kalojnë në pikat kufitare pa ndalesa dhe pa procedura standarde kontrolli. Ndërkohë, mjetet me targa të huaja do t’i nënshtrohen vetëm kontrolleve të shpejta, për të shmangur vonesat dhe radhët e gjata, veçanërisht në pikën kufitare Vërmicë-Morinë.
Lehtësimi i kalimit rikthehet pas dy muajsh ndërprerjeje, pasi gjatë marsit dhe prillit u zbatuan kontrolle të plota.
Megjithëkëtë, edhe gjatë kësaj periudhe, fundjavat dhe festat zyrtare vijuan me regjim të lehtësuar për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës.
Ky model bashkëpunimi mes dy vendeve ka sjellë përfitime të dukshme ndër vite, sidomos gjatë verës, duke nxitur turizmin, vizitat familjare dhe shkëmbimet tregtare.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në orët e para të së premtes kanë hyrë në Shqipëri rreth 20 mijë qytetarë, shumica prej tyre nga Kosova.

