Ministri izraelit i Mbrojtjes: Lufta me Iranin mund të rifillojë “së shpejti”

Ministri izraelit i Mbrojtjes: Lufta me Iranin mund të rifillojë “së shpejti”

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka paralajmëruar se lufta me Iranin mund të rifillojë “së shpejti”, transmeton Anadolu.

“Është e mundur që së shpejti të na duhet të veprojmë përsëri për të siguruar arritjen e objektivave”, tha Katz gjatë një aktiviteti ushtarak në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes në Tel Aviv.

“Irani ka pësuar goditje jashtëzakonisht të rënda gjatë vitit të kaluar, goditje që e kanë kthyer vite prapa në të gjitha fushat”, shtoi ai në deklaratat e tij të raportuara nga gazeta Yedioth Ahronoth.

Kërcënimet izraelite për një rifillim të mundshëm të sulmeve ndaj Iranit shihen nga vëzhguesit si pjesë e përpjekjeve për të shtyrë SHBA-në drejt një veprimi të ri ushtarak.

Javën e kaluar, Katz tha se Izraeli po pret një “dritë jeshile” nga SHBA-ja për të rifilluar luftën kundër Iranit.

Sipas Axios, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka përgatitur plane që mund të përfshijnë sulme ndaj infrastrukturës iraniane, si dhe opsione më të gjera si rritja e presionit detar në Ngushticën e Hormuzit.

Propozimet thuhet se synojnë ta detyrojnë Iranin të kthehet në negociata me më shumë fleksibilitet, veçanërisht për çështjen bërthamore.

SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit më 28 shkurt, duke nxitur kundërpërgjigje nga Teherani ndaj aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik dhe duke mbyllur Ngushticën e Hormuzit.

Një armëpushim u shpall më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, i ndjekur nga bisedime në Islamabad më 11 prill, por nuk u arrit marrëveshje. Presidenti amerikan, Donald Trump, më vonë e zgjati armëpushimin pa një afat të ri, me kërkesë të Pakistanit.

MARKETING