“Mjekët pa Kufij”: Izraeli po përdor aksesin në ujë si armë për ndëshkim kolektiv në Gaza
Organizata “Mjekët pa Kufij” (MSF) tha sot se autoritetet izraelite po e përdorin aksesin në ujë si armë të ndëshkimit kolektiv kundër palestinezëve në Gaza dhe kërkoi rivendosjen e menjëhershme të furnizimit me ujë dhe aksesin e papenguar humanitar, transmeton Anadolu.
Në një raport të ri, MSF-ja tha se kufizimet e përsëritura në aksesin në ujë janë pjesë e një “modeli sistematik dhe kumulativ”.
“Autoritetet izraelite e dinë se pa ujë jeta mbaron, megjithatë ata kanë shkatërruar qëllimisht dhe sistematikisht infrastrukturën e ujit në Gaza ndërsa vazhdimisht bllokojnë hyrjen e furnizimeve që lidhen me ujin”, tha Claire San Filippo, menaxhere e emergjencës e MSF-së.
Sipas raportit, gati 90 për qind e infrastrukturës së ujit dhe kanalizimeve të Gazës është dëmtuar ose shkatërruar, përfshirë impiantet e shkripëzimit, tubacionet dhe sistemet e kanalizimeve.
“Palestinezët janë plagosur dhe vrarë thjesht duke u përpjekur të aksesojnë në ujë”, tha San Filippo duke paralajmëruar se privimi po nxit sëmundjet mes mbipopullimit dhe sistemit shëndetësor të shembur.
MSF-ja bëri të ditur se një në pesë shpërndarje të ujit u ndalua midis majit dhe nëntorit 2025 për shkak të mungesave dhe kufizimeve të aksesit.
Organizata i kërkoi Izraelit të rivendosë aksesin në ujë në nivelet e kërkuara ndërsa u bëri thirrje aleatëve të ushtrojnë presion mbi Izraelin që të ndalojë pengimin e aksesit humanitar, përfshirë materialet e nevojshme për infrastrukturën ujore.
“Pasojat e këtij privimi nga aksesi në ujë janë të gjera në shëndetin, higjienën dhe dinjitetin e njerëzve”, tha raporti.

