Gjykata izraelite zgjat paraburgimin e mjekut palestinez Abu Safiya “pa akuza”
Një gjykatë izraelite zgjati sot masën e arrestit të Dr. Hussam Abu Safiya, drejtor i Spitalit Kamal Adwan në Rripin e Gazës, pa ngritur akuza ndaj tij, mes kushteve të ashpra dhe mohimit të kujdesit mjekësor, tha një organizatë për të drejtat e njeriut, transmeton Anadolu.
Abu Safiya, konsulent pediatrik, u ndalua më 27 dhjetor 2024, kur forcat izraelite bastisën spitalin në qytetin verior Beit Lahia, duke e arrestuar nën kërcënimin e armës pasi objekti u shkatërrua dhe u nxor jashtë funksionit.
“Gjykata e Rrethit në Beersheba miratoi të martën në mëngjes zgjatjen e paraburgimit të Dr. Hussam Abu Safiya sipas Ligjit për Luftëtarët e Paligjshëm, pa ngritur asnjë akuzë, dhe refuzoi kërkesën e mbrojtjes për lirimin e tij të menjëhershëm”, tha organizata Mjekët për të Drejtat e Njeriut në Izrael në një deklaratë.
Ligji për Luftëtarët e Paligjshëm u lejon autoriteteve izraelite të mbajnë në burgje palestinezë nga Gaza për periudha të gjata pa gjyq.
Megjithëse gjykata në Beersheba e kishte zgjatur paraburgimin e tij për gjashtë muaj në tetor 2025, organizata tha se autoritetet kanë sinjalizuar se zgjatja e fundit është “pa afat”.
“Gjykata e mbajti në fuqi paraburgimin pavarësisht argumenteve se ndalimi i një mjeku gjatë kryerjes së detyrave të tij mjekësore përbën ndalim të paligjshëm”, thuhet në deklaratë.
“Dr. Abu Safiya aktualisht mbahet në burgun Negev në kushte të ashpra, pa qasje në medikamentet e tij dhe pa marrë trajtim mjekësor, pavarësisht përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore” paralajmëroi organizata.
Izraeli vazhdon ta mbajë Abu Safiyan në paraburgim pavarësisht mohimit të tij të përsëritur se ka qenë i përfshirë në ndonjë aktivitet jashtë rolit të tij profesional mjekësor, duke shpërfillur thirrjet e organizatave izraelite, palestineze dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që kërkojnë lirimin e tij të menjëhershëm.
“Dr. Abu Safiya kishte drejtuar pa u lodhur spitalin, duke ofruar kujdes thelbësor për fëmijët dhe duke qenë dëshmitar i shembjes së sektorit shëndetësor të Gazës gjatë luftës.
Ai vazhdoi punën edhe pas vdekjes tragjike të djalit të tij gjatë një sulmi ajror izraelit. Si shumë punonjës shëndetësorë para tij, ai u arrestua ndërsa kujdesej për pacientët dhe kryente detyrat e tij mjekësore”, thuhej në një raport të mëparshëm të Amnesty International.
Me mbështetjen e SHBA-së, Izraeli nisi një luftë në shkallë të gjerë më 8 tetor 2023, duke vrarë më shumë se 72.000 palestinezë dhe duke plagosur mbi 172.000 të tjerë, shumica gra dhe fëmijë, si dhe duke shkaktuar shkatërrimin e rreth 90 për qind të infrastrukturës civile.
Pavarësisht një armëpushimi në fuqi që nga 10 tetori, Izraeli ka vazhduar veprimet e tij përmes bllokadës dhe sulmeve të përditshme, duke vrarë 818 palestinezë dhe duke plagosur 2.301 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
Izraeli gjithashtu vazhdon të bllokojë hyrjen e sasive të dakorduara të ushqimit, ilaçeve, furnizimeve mjekësore dhe materialeve për strehim në Gaza, ku rreth 2,4 milionë palestinezë, përfshirë 1,5 milionë të zhvendosur, jetojnë në kushte të rënda humanitare.

