Netanyahu zbulon se është trajtuar për kancer të prostatës
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi të mërkurën se është trajtuar për kancerin e prostatës, duke prezantuar rezultatet e kontrollit të tij vjetor mjekësor, raporton CNN. Kjo është hera e parë që kryeministri me mandatin më të gjatë në historinë e Izraelit ka njoftuar publikisht se është diagnostikuar me sëmundjen malinje.
Netanyahu, 76 vjeç, iu nënshtrua një operacioni për zmadhim të prostatës në dhjetor 2024 dhe një kontroll i kohëve të fundit zbuloi një tumor malinj me përmasa më të vogla se një centimetër. Zyra e kryeministrit publikoi gjithashtu dy letra nga mjekët e tij.
“Ky është një lezion shumë i vogël i zbuluar herët, pa metastaza, i cili është konfirmuar nga të gjitha testet e tjera”, thuhet në njërën nga letrat.
Sipas një burimi të njohur me rastin, kanceri u diagnostikua disa muaj më parë, pas së cilës Netanyahu filloi radioterapinë e synuar, të cilën e përfundoi së fundmi.
“Falë Zotit, jam mirë. Pata një problem të vogël mjekësor me prostatën që është zgjidhur plotësisht”, shkroi Netanyahu në rrjetet sociale.
Ai shtoi se e kishte vonuar publikimin e raportit me dy muaj për të parandaluar që ai, tha ai, të përdoret për propagandë nga Irani.

