Kryediplomati izraelit: Nuk ka mosmarrëveshje të mëdha me Libanin para raundit të dytë të bisedimeve

Kryediplomati izraelit: Nuk ka mosmarrëveshje të mëdha me Libanin para raundit të dytë të bisedimeve

Ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Gideon Saar ka deklaruar se nuk ekzistojnë “mosmarrëveshje të mëdha” mes Izraelit dhe Libanit, në prag të raundit të dytë të bisedimeve që pritet të mbahet nesër në Washington, transmeton Anadolu.

“Ne nuk kemi mosmarrëveshje të mëdha. Ka disa dallime të vogla rreth vijës kufitare që mund të zgjidhen”, tha Saar gjatë një ngjarje me trupin diplomatik në Kuds.

Sipas gazetës “Yedioth Ahronoth”, ai e përshkroi Libanin si një “shtet të dështuar”, duke pretenduar se është nën ndikimin e Iranit përmes Hezbollahut.

Saar akuzoi Hezbollahun si pengesën kryesore për paqe dhe normalizim të marrëdhënieve mes Tel Avivit dhe Bejrutit, duke e quajtur atë “armiku i përbashkët i Izraelit dhe Libanit”.

“Qeveria libaneze duhet të bashkëpunojë kundër këtij entiteti që ka krijuar Hezbollah në territorin tuaj”, shtoi ai.

Sipas mediave izraelite, përfaqësuesit e Izraelit dhe Libanit u takuan më 14 prill në Washington, në takimin e parë të tillë pas 43 vitesh dhe ranë dakord për fillimin e negociatave të drejtpërdrejta të paqes.

Raundi i dytë i bisedimeve pritet të zhvillohet të enjten në kryeqytetin amerikan.

Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, ofensiva izraelite në Liban që nga 2 marsi ka shkaktuar rreth 2.300 viktima, mbi 7.500 të plagosur dhe ka zhvendosur më shumë se 1 milion persona. Një armëpushim 10-ditor është shpallur së fundmi në vend.

MARKETING