Të paktën 34 cisterna të lidhura me Iranin anashkaluan bllokadën e SHBA-së
Të paktën 34 cisterna me lidhje me Iranin kanë arritur të anashkalojnë bllokadën e SHBA-së që nga fillimi i saj, përfshirë disa që transportonin naftë iraniane, transmeton Anadolu.
Washingtoni filloi zbatimin e bllokadës më 13 prill, duke synuar të gjitha anijet që hyjnë ose dalin nga ujërat bregdetare të Iranit. Deri më 16 prill, kufizimet u zgjeruan për të përfshirë edhe anijet iraniane në det të hapur si dhe ato që transportojnë mallra që mund të mbështesin përpjekjet luftarake të Iranit.
Deri më tani, forcat amerikane kanë sekuestruar një anije kontejnerësh në Gjirin e Omanit dhe kanë ndaluar një cisternë të sanksionuar në rajonin Indo-Paqësor. Dje, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se forcat amerikane kanë detyruar 28 anije të kthehen mbrapsht që nga fillimi i bllokadës së porteve iraniane.
Në një intervistë për CNBC po atë ditë, presidenti amerikan Donald Trump tha se “bllokada ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm” dhe shtoi se nuk do ta heqë embargon amerikane mbi Ngushticën e Hormuzit derisa të arrihet një “marrëveshje përfundimtare” me Iranin.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, dhjetëra anije kanë shmangur bllokadën. Të paktën 19 cisterna të lidhura me Iranin kanë arritur të largohen nga Gjiri, ndërsa 15 të tjera kanë hyrë nga Deti Arabik drejt Iranit.
Mes atyre që u larguan, të paktën gjashtë raportohet se transportonin naftë bruto iraniane, në total 10.7 milionë fuçi. Duke qenë se nafta iraniane zakonisht shitet nën çmimin e Brent-it, një zbritje prej 10 dollarësh për fuçi do ta çonte vlerën e kësaj ngarkese në rreth 910 milionë dollarë.
Konflikti mes Washingtonit dhe Iranit nisi më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme ndaj Iranit, duke nxitur kundërsulme nga Teherani ndaj aseteve dhe bazave amerikane në gjithë Lindjen e Mesme.
Islamabadi më pas priti bisedimet e nivelit më të lartë mes Washingtonit dhe Teheranit, të parat që nga ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1979, të mbajtura më 11-12 prill.
Irani kishte hequr përkohësisht kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit të premten e kaluar, por e rivendosi atë një ditë më vonë pasi Trump tha se bllokada e porteve iraniane do të mbetej në fuqi.

