Media amerikane: Trump bisedoi me shefin e ushtrisë pakistaneze dhe negociatorët iranianë

Media amerikane: Trump bisedoi me shefin e ushtrisë pakistaneze dhe negociatorët iranianë

Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar biseda me shefin e ushtrisë pakistaneze, gjeneralin Asim Munir, si dhe me negociatorë iranianë gjatë kësaj jave, tha media amerikane, transmeton Anadolu.

Duke cituar zyrtarë amerikanë të paidentifikuar, faqja e lajmeve Axios raportoi se telefonata me Munirin dhe palën iraniane ka ndodhur gjatë vizitës treditore të shefit të ushtrisë pakistaneze në Teheran, e cila filloi të mërkurën.

“Sipas zyrtarëve amerikanë, Asim Munir zhvilloi bisedime ndërmjetësuese mes SHBA-së dhe Iranit në Teheran këtë javë, ndërsa Trump ka folur të paktën një herë në telefon me Munirin dhe me palën iraniane”, thuhet në lajm.

Munir është takuar me udhëheqës civilë dhe ushtarakë në Iran, përfshirë kryetarin e parlamentit Mohammad Bagher Qalibaf, ministrin e jashtëm Abbas Araghchi dhe gjeneralmajor Ali Abdollahi, komandant i shtabit Khatam ul Anbiya.

Lajmi për telefonatën u publikua ndërsa Trump mbajti një mbledhje në Shtëpinë e Bardhë në dhomën e situatës të shtunën, për të diskutuar situatën pas mbylljes së sërishme të Ngushticës së Hormuzit, me një armëpushim të brishtë dyjavor që pritet të skadojë më 22 prill dhe pa një datë të caktuar për një takim të ri mes negociatorëve amerikanë dhe iranianë.

Gjatë vizitës së Munirit në Teheran, Irani e deklaroi të hapur këtë korridor të rëndësishëm detar, por më pas e mbylli sërish të shtunën pasi Trump tha se bllokada amerikane ndaj porteve iraniane do të vazhdonte.

Burime pakistaneze, amerikane dhe iraniane besojnë se një raund i dytë bisedimesh pritet të zhvillohet në Islamabad javën e ardhshme.

Nuk ka ende njoftim zyrtar nga palët për afatin e raundit të ardhshëm të bisedimeve.

Pakistani priti më 11–12 prill nivelin më të lartë të angazhimit mes SHBA-së dhe Iranit që nga viti 1979, por bisedimet përfunduan pa rezultat.

Raundi i dytë pritet të përfshijë ekipe teknike të të dyja palëve.

Burime të qeverisë pakistaneze më herët kanë thënë se ekipet teknike pritet të takohen në Islamabad “me shumë gjasë të hënën” për të finalizuar një marrëveshje mes palëve.

MARKETING