Pekini dënon kërcënimin e SHBA-së për sanksione ndaj naftës iraniane
Kina ka dënuar kërcënimet e SHBA-së për të vendosur sanksione dytësore ndaj dy bankave kineze, duke i cilësuar masat e tilla si “të paligjshme” dhe pa autorizim nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, transmeton Anadolu.
“Kina kundërshton sanksionet e paligjshme dhe të njëanshme pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Guo Jiakun, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, gjatë një konference për media në Pekin.
Komentet e zëdhënësit Guo vijnë pasi sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, dje tha se SHBA-ja u ka dërguar letra dy bankave kineze, duke theksuar: “Nëse mund të provojmë se ka fonde iraniane që kalojnë përmes llogarive tuaja, atëherë jemi të gatshëm të vendosim sanksione dytësore”.
Bessent gjithashtu tha se Kina dikur blinte më shumë se 90 për qind të naftës iraniane, që përbënte rreth 8 për qind të nevojave energjetike të Kinës.
Ai gjithashtu tha se SHBA-ja beson se me bllokadën amerikane në Ngushticën e Hormuzit, “do të ketë një pauzë në blerjet kineze”.
SHBA-ja ka vendosur një bllokadë detare ndaj porteve iraniane pas bisedimeve të rralla direkte mes Washingtonit dhe Teheranit në Pakistan gjatë fundjavës, të cilat synonin t’i japin fund luftës që nisi më 28 shkurt, por që nuk arritën marrëveshje.
Ndërkohë, një raport nga South China Morning Post tha se Kina ka vazhduar të diversifikojë rezervat e saj valutore në shkurt, ndërsa ka ulur zotërimet e saj në Thesarin të SHBA-së.

