Diplomatë të lartë nga Turqia, Arabia Saudite, Egjipti dhe Pakistani takohen në Islamabad
Zyrtarë të lartë të ministrive të jashtme të Pakistanit, Arabisë Saudite, Turqisë dhe Egjiptit janë takuar në Islamabad, si vijim i një takimi konsultativ të ministrave të jashtëm të këtyre vendeve të mbajtur në fund të muajit të kaluar, thuhet në një deklaratë zyrtare, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit njoftoi se delegacioni i Pakistanit u udhëhoq nga sekretari shtesë për Punët e Jashtme, Tahir Andrabi, ndërsa delegacioni turk nga zv/ministri i jashtëm, Musa Kulaklıkaya.
Egjipti u përfaqësua nga ndihmësi i ministrit të jashtëm, Nazih El Naggari, ndërsa Arabia Saudite nga drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme, Abdullah bin Khalid bin Saud Al-Kabeer AlSaud.
Diskutimet e zhvilluara në takim do t’i paraqiten për shqyrtim një takimi të ardhshëm të ministrave të jashtëm të këtyre vendeve, i cili është planifikuar të mbahet të premten në Antalya të Turqisë, në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalya (ADF).
Një takim i ministrave të jashtëm të Turqisë, Egjiptit, Pakistanit dhe Arabisë Saudite u mbajt në Islamabad më 29 mars për të diskutuar zhvillimet në Lindjen e Mesme në kontekstin e luftës SHBA-Izrael me Iranin.

