Rusia dhe Emiratet Arabe diskutojnë për rivendosjen e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit

Rusia dhe Emiratet Arabe diskutojnë për rivendosjen e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov dhe homologu i tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed Al Nahyan, ranë dakord gjatë një telefonate të qëndrojnë në kontakt për të ndihmuar në rivendosjen e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu.

Një deklaratë nga Ministria e Jashtme ruse sot tha se dy diplomatët shkëmbyen vlerësime lidhur me situatën në rajonin e Gjirit Persik pas bisedimeve SHBA-Iran të mbajtura në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, gjatë fundjavës.

Deklarata tha se Lavrovi dhe Al Nahyani bënë thirrje për “ndërprerje të menjëhershme dhe mosrifillim të të gjitha veprimeve ushtarake” si dhe për vazhdimin e përpjekjeve diplomatike për të kapërcyer krizën e shkaktuar nga ofensiva e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, e cila ka vrarë mbi 3.300 njerëz që nga 28 shkurti, përpara se të ndërmjetësohej një armëpushim i brishtë dyjavor javën e kaluar.

“Ministrat shprehën një mendim të përbashkët mbi papranueshmërinë e shkaktimit të dëmit ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile në shtetet e rajonit”, tha deklarata.

Të dy diplomatët ranë dakord të qëndronin në kontakt me qëllim që të ndihmonin në identifikimin e mënyrave drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe rivendosjen e lundrimit normal përmes Ngushticës së Hormuzit dhe rrugëve të tjera ujore rajonale, thuhet më tej.

Telefonata u zhvillua pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi një bllokadë detare të Ngushticës së Hormuzit, e cila hyri në fuqi në orën 14:00 GMT të hënën. Bllokada erdhi pasi Washingtoni dhe Teherani nuk arritën marrëveshje gjatë bisedimeve në Islamabad që filluan të shtunën dhe përfunduan të dielën në mëngjes.

MARKETING