Witkoff dhe Kushner nga SHBA dhe Araghchi dhe Ghalibaf nga Irani do të marrin pjesë në bisedimet në Islamabad

Witkoff dhe Kushner nga SHBA dhe Araghchi dhe Ghalibaf nga Irani do të marrin pjesë në bisedimet në Islamabad

MARKETING

Një zyrtar i lartë pakistanez për Anadolu ka bërë të ditur se i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe dhëndri i tij Jared Kushner pritet të përfaqësojnë SHBA-në në bisedimet me palën iraniane në Islamabad që fillojnë të premten, pasi u arrit një armëpushim mes dy palëve në konflikt.

MARKETING

Sample Image

Pala iraniane, tha zyrtari i cili kërkoi të mbetet anonim, mund të përfaqësohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi dhe kryetari i parlamentit, Bagher Ghalibaf.

Ai shtoi se ministri i Punëve të Jashtme i Pakistanit, Ishaq Dar, i cili luajti një rol aktiv në negocimin e përfundimit të 39 ditëve luftime, gjithashtu do të marrë pjesë në bisedimet historike.

Nuk ka pasur ende një njoftim zyrtar nga asnjëra palë lidhur me përfaqësuesit e tyre në bisedime.

Presidenti amerikan, Donald Trump, duket se konfirmoi se Witkoff dhe Kushner do të udhëtojnë në Islamabad për bisedime me palën iraniane.

Megjithatë, Trump tha për New York Post se zv/presidenti amerikan, JD Vance, mund të mos marrë pjesë për shkak të “çështjeve të sigurisë”.

Trump tha se bisedimet ballë për ballë do të zhvillohen “shumë shpejt, në fakt, do të ndodhin shumë shpejt”.

Më herët, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, njoftoi një armëpushim dyjavor midis SHBA-së dhe Iranit, si dhe në të gjithë rajonin e prekur nga konflikti.

Më vonë, Sharif tha se delegacionet nga SHBA dhe Irani do të mbërrijnë në Islamabad të premten për të zhvilluar bisedime.

Islamabadi ka lehtësuar bisedime indirekte midis Washingtonit dhe Teheranit.

Teherani ka konfirmuar pjesëmarrjen në bisedime, ndërsa formati i negociatave mbetet i panjohur.

Dje, Trump njoftoi një armëpushim dyjavor me Iranin, duke thënë se Teherani kishte paraqitur një propozim “të zbatueshëm” me 10 pika për negociata.

Njoftimi për armëpushimin erdhi më pak se dy orë përpara skadimit të një afati që Trump e kishte shtyrë vazhdimisht për Iranin për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për të pranuar një marrëveshje ose të përballej me “shkatërrimin e një qytetërimi të tërë”.

Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që nga fillimi i një ofensive të përbashkët të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt, duke lënë të vrarë më shumë se 1.400 persona deri më tani, përfshirë liderin suprem të atëhershëm, Ali Khamenei.

Irani u kundërpërgjigj me sulme me dronë dhe raketa që shënjestruan Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane.

MARKETING