Merz refuzon kërkesën e Donald Trump, kërkon fund politik të luftës me Iran
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka kërkuar përfundimin e shpejtë të luftës kundër Iranit dhe ka përjashtuar kategorikisht dërgimin e forcave detare gjermane në Gjirin Persik për të shoqëruar cisternat e naftës, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Berlin, Merz paralajmëroi se rreziqet që lidhen me fushatën ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit janë shumë të mëdha dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të ndjekin një zgjidhje politike për konfliktin.
“Lufta me Iranin duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe me një plan të qartë, me një strategji. Nuk do të ketë zgjidhje ushtarake, vetëm një zgjidhje politike. Mund vetëm t’u bëj thirrje të gjitha palëve të përfshira të kërkojnë një zgjidhje politike. Gjermania është e gatshme të kontribuojë”, tha Merz.
Ai gjithashtu refuzoi thirrjen e presidentit amerikan, Donald Trump, që aleatët e NATO-s të ndihmojnë në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit. Ai theksoi se as SHBA-ja dhe as Izraeli nuk e konsultuan Gjermaninë dhe aleatët para se të nisnin konfliktin.
“Sa i përket Iranit, nuk ka pasur kurrë një vendim të përbashkët nëse duhet të përfshihemi apo jo. Prandaj, çështja se si Gjermania do të kontribuojë ushtarakisht nuk shtrohet fare. Ne nuk do ta bëjmë këtë”, tha ai.
Shefi i diplomacisë gjermane gjithashtu kundërshtoi paralajmërimin e Trump se NATO përballet me një të ardhme “shumë të keqe” nëse aleatët refuzojnë të dërgojnë anije luftarake.
“Ne po përmbushim detyrimet tona brenda NATO-s dhe më lejoni ta përsëris, NATO është një aleancë mbrojtëse, jo ndërhyrëse. Për këtë arsye shpresoj që të trajtojmë njëri-tjetrin me respektin e nevojshëm brenda aleancës”, tha Merz.

