Trump: Hezbollahu “po eliminohet me shpejtësi”

Trump: Hezbollahu “po eliminohet me shpejtësi”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Hezbollahu ka qenë “një problem i madh që po eliminohet me shpejtësi”, teksa Izraeli nisi një ofensivë tokësore në Liban kundër grupit të mbështetur nga Irani, transmeton Anadolu.

Duke folur në një takim me anëtarët e bordit të Qendrës Kennedy, Trump u pyet nëse e ka diskutuar çështjen me udhëheqjen izraelite dhe nëse SHBA-ja mbështet pushtimin tokësor izraelit në jug të Libanit. Ai nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.

“Hezbollahu është një problem, një problem për një kohë të gjatë”, tha ai.

Më herët, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, konfirmoi se ushtria ka nisur operacionin tokësor. Dje, transmetuesi publik izraelit raportoi se ushtria ka kërkuar miratimin e qeverisë për mobilizimin e 450.000 rezervistëve në përgatitje për ofensivën.

Më 2 mars, Izraeli zgjeroi sulmet ajrore në të gjithë Libanin, përfshirë kryeqytetin Bejrut, pas sulmeve ndërkufitare të Hezbollahut, në kuadër të përshkallëzimit më të gjerë rajonal të shkaktuar nga ofensiva e përbashkët SHBA-Izrael kundër Iranit.

Autoritetet shëndetësore libaneze njoftuan se sulmet kanë vrarë të paktën 886 persona, kanë plagosur më shumë se 2.100 të tjerë dhe kanë zhvendosur mbi 830.000 njerëz.

Izraeli pushton disa zona në jug të Libanit, disa prej tyre prej dekadash dhe disa të tjera të marra gjatë luftës së fundit midis tetorit 2023 dhe nëntorit 2024.

MARKETING