Hungaria kërkon nga BE-ja të pezullojë sanksionet ndaj naftës ruse pas vendimit të SHBA-së
Ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, Peter Szijjarto, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian (BE) të pezullojë sanksionet ndaj dërgesave të naftës ruse, duke argumentuar se blloku rrezikon çmime më të larta të karburanteve nëse mban kufizimet teksa SHBA-ja po lehtëson masat e saj, transmeton Anadolu.
Szijjarto tha se vendimi i SHBA-së për të pezulluar sanksionet ndaj naftës ruse të transportuar përmes rrugëve detare për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme do të rrisë furnizimin global dhe do të ndihmojë në uljen e çmimeve, të cilat sot tregtoheshin rreth 100 dollarë për fuçi.
“Me vendimin e sotëm të SHBA-së për të pezulluar sanksionet ndaj dërgesave të naftës ruse, nafta ruse mund të arrijë përsëri tregjet globale përmes detit, duke rritur furnizimin dhe duke ulur çmimet”, shkroi Szijjarto në platformën amerikane të rrjeteve sociale X.
Ai argumentoi se konsumatorët evropianë nuk do të përfitojnë nga ky zhvillim, sepse BE-ja vazhdon të ndalojë importet e naftës ruse.
“Megjithatë, Evropa nuk do t’i shohë këto përfitime, pasi nafta ruse është e ndaluar në tregun evropian dhe Brukseli vazhdon të marrë vendime sipas kërkesave të Volodymyr Zelenskyyt”, shtoi ai.
Szijjarto gjithashtu i bëri thirrje Brukselit të rishqyrtojë qëndrimin e tij dhe të ndjekë shembullin e SHBA-së duke pezulluar kufizimet ndaj furnizimeve me naftë ruse.
“BE-ja duhet të ndjekë shembullin amerikan dhe të pezullojë sanksionet ndaj naftës ruse. Lejimi i këtyre furnizimeve përsëri në tregun evropian do të ndihmonte në frenimin e rritjes së çmimeve”, tha ai.
Ai paralajmëroi se çmimet e karburanteve në mbarë Evropën po rriten, pasi po shtohen kostot e benzinës dhe naftës, si dhe i bëri thirrje BE-së të “heq dorë nga sanksionet ndaj naftës ruse”.
Dje, SHBA-ja njoftoi se ka autorizuar përkohësisht blerjen e naftës ruse që tashmë ndodhej e bllokuar në det, në përpjekje për të stabilizuar tregjet globale të energjisë.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, e përshkroi këtë hap si një “masë të kufizuar dhe afatshkurtër”, e cila zbatohet vetëm për naftën që tashmë është në transit. Përjashtimi i Departamentit të Thesarit që lejon blerjen e naftës ruse në det do të skadojë më 11 prill.
– “Vendim i njëanshëm”
Megjithatë, BE-ja e ka kritikuar këtë vendim duke e quajtur “të njëanshëm”. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se kjo është “shumë shqetësuese, pasi ndikon në sigurinë evropiane”.
“Rritja e presionit ekonomik ndaj Rusisë është vendimtare që ajo të pranojë negociata serioze për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Dobësimi i sanksioneve rrit burimet e Rusisë për të zhvilluar luftën e agresionit kundër Ukrainës”, shkroi Costa në X.
Ndërkohë, Departamenti i Energjisë i SHBA-së tha se administrata ka vendosur gjithashtu të lirojë 172 milionë fuçi nafte nga Rezerva Strategjike e Naftës.
Ky hap pasoi një marrëveshje të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) me 32 anëtarë për të liruar rreth 400 milionë fuçi nafte nga rezervat strategjike, duke shënuar lirimin më të madh të koordinuar në historinë e agjencisë.

