Vetmia dhe meditimi në DHJETË NETËT e fundit të Ramazanit

Vetmia dhe meditimi në DHJETË NETËT e fundit të Ramazanit

Shkruan: Hoxhë Ridvan ef. Xhaferi

“Nuk i vyen gjë zemrës më shumë se një vetmi, përmes së cilës hyn në mejdanin e meditimit.”

Në këtë urtësi, Ibn Ataullah el-Iskenderi ka përmbledhur një nga të vërtetat më të thella të jetës shpirtërore, zemra nuk zgjohet në zhurmë, por në heshtje. Njeriu jeton mes njerëzve, mes fjalëve dhe mes kërkesave të përditshme që e mbushin jetën me lëvizje të vazhdueshme, por pikërisht kjo dinamikë shpesh e bën zemrën të humbasë drejtimin e saj të brendshëm. Sa më shumë shtohen zërat përreth njeriut, aq më e vështirë bëhet që ai të dëgjojë zërin e ndërgjegjes së tij.

Prandaj islami i ka kushtuar një rëndësi të veçantë momentit të vetmisë. Jo si një ikje nga njerëzit, por si një kthim te vetja dhe te Zoti. Sepse vetmia e vërtetë nuk është largimi fizik nga njerëzit, ajo është një gjendje e brendshme ku zemra çlirohet përkohësisht nga rrjedha e zakonshme e jetës dhe fiton hapësirën për të reflektuar mbi kuptimin e ekzistencës. Në këtë hapësirë lind ajo që Ibn Ataullahu e quan “fusha e meditimit”, një horizont ku njeriu fillon të shohë jetën jo vetëm si një seri ngjarjesh, por si një rrugë që ka një destinacion.

Vetmia, në këtë kuptim, nuk është një largim përbuzës nga njerëzit, por një kthim i vetëdijshëm drejt thellësisë së shpirtit. Njeriu nuk largohet nga të tjerët sepse ata janë të mangët, por sepse ai e njeh dobësinë e vet dhe nevojën për qetësi të brendshme. Vetmia e zgjedhur nuk buron nga krenaria, por nga përulësia. Sepse nëse dikush tërhiqet duke besuar se pastërtia është vetëm e tij, izolimi nuk bëhet dritë, por një perde që e ndan nga e vërteta. Vetmia e vërtetë është hapësira ku mendimi qetësohet, ndërgjegjja zgjohet dhe shpirti i afrohet kuptimit të thellë të ekzistencës.

Allahu I Lartësuar e përshkruan zemrën si vendin e kuptimit dhe të ndërgjegjes: “Vërtet në këtë ka një përkujtim për atë që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe dëshmon” (Kaf, 37). Në këtë kuptim zemra nuk është thjesht një simbol emocional, ajo është qendra e perceptimit të së vërtetës. Por kjo qendër shpesh mbulohet nga shtresat e jetës së përditshme, nga ambicia, nga dëshira për pasuri dhe nga shqetësimet e pafundme që e shpërqendrojnë mendjen dhe e lodhin shpirtin. Vetmia e përkohshme bëhet atëherë një mënyrë për ta pastruar këtë hapësirë të brendshme, një lloj “diete shpirtërore” që e mbron zemrën nga ajo që e turbullon.

Vetmia si mbrojtje nga ndikimet që e shpërbëjnë qetësinë e brendshme, dhe meditimi si dritë që shëron errësirën e moskuptimit. Ashtu si trupi ka nevojë për dietë dhe ilaç, edhe shpirti ka nevojë të distancohet përkohësisht nga shpërqendrimi i botës, jo për ta mohuar jetën, por për ta kuptuar atë më thellë dhe për të zbuluar kuptimin që fshihet përtej dukjes së saj.

Në këtë pikë filozofia e vetmisë gjen një rezonancë të veçantë me një nga momentet më të thella të përvojës islame, dhjetë netët e fundit të Ramazani. Këto netë nuk janë vetëm fundi i një muaji agjërimi, ato janë kulmi i një udhëtimi shpirtëror. Në to besimtari ftohet të ngadalësojë ritmin e jetës së tij, të largohet për një çast nga shpërqendrimet e zakonshme dhe të kthehet drejt një përqendrimi të thellë të brendshëm.

Nuk është rastësi që Muhamedi a.s. në këto netë e ndryshonte plotësisht ritmin e jetës së tij, ai hynte në itikaf, zgjonte familjen e tij për adhurim dhe e kalonte natën në lutje dhe reflektim. Në pamje të parë kjo mund të duket si një tërheqje nga jeta shoqërore, por në thelb është një rikthim në burimin e saj shpirtëror.

Këtë dimension të brendshëm të adhurimit e shpreh edhe hadithi i njohur i Pejgamberit a.s: “Kush falet në Ramazan me besim dhe shpresë në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet që i ka bë më herët”, “Kush falet Natën e Kadrit me besim dhe shpresë në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet që ka bërë më herët.” Ky hadith na jep dy kushte të jetës shpirtërore, imanin (besimin) dhe ihtisabin (meditimin). Imani këtu nuk është vetëm një besim teorik, por një ndërgjegje e gjallë e pranisë së Allahut në zemër. Ai është besimi që e zgjon zemrën dhe e bën njeriun të shohë përtej dukjes së jetës. Ndërsa ihtisabi është një koncept edhe më i thellë, ai do të thotë që njeriu e bën adhurimin duke kërkuar shpërblimin vetëm nga Allahu, por njëkohësisht duke llogaritur veten, duke reflektuar mbi jetën e tij dhe duke e peshuar atë para ndërgjegjes së tij dhe para Zotit. Fjala ihtisab lidhet me kuptimin e muhasebes (vetëllogaritjes shpirtërore), pra meditimit të thellë mbi veprat, qëllimet dhe drejtimin e jetës. Nëse Imani është drita që zgjon zemrën, atëherë ihtisabi është reflektimi që e pastron atë. Besimi i jep zemrës orientimin drejt Allahut, ndërsa meditimi e ndihmon njeriun të kuptojë veten dhe të korrigjojë rrugën e tij.

Dhe pikërisht vetmia është hapësira ku këto dy gjendje bëhen më të thella. Kur njeriu largohet për një moment nga zhurma e botës dhe mbetet vetëm me mendimin e tij dhe me Zotin e tij, besimi bëhet më i gjallë dhe reflektimi më i sinqertë. Në heshtjen e natës lind ajo që dijetarët e kanë quajtur Muhasebetu’n Nefs (llogaritja e shpirtit), një moment kur njeriu e shikon jetën e tij me sy të kthjellët.

Në zemër të këtyre netëve qëndron fshehtësia dhe urtësia e Natës së Kadrit, një natë që Kur’ani e përshkruan si më të mirë se një mijë muaj. Ky përshkrim nuk është thjesht një krahasim numerik, ai sugjeron se në një moment të vetëm të përqendrimit shpirtëror mund të përmblidhet kuptimi i një jete të tërë.

Historia e njeriut është e mbushur me momente kur koha duket sikur hap një dritare drejt përjetësisë, dhe Nata e Kadrit është një nga këto momente. Por ajo është e fshehur. Dhe pikërisht kjo fshehtësi e bën kërkimin për të më të thellë. Në vend që njeriu të përqendrohet në një natë të vetme, ai ftohet të jetojë dhjetë netë të tëra në gjendjen e kërkimit, të reflektimit dhe të adhurimit me iman dhe me ihtisab.

Në këto netë vetmia merr një kuptim të ri. Ajo nuk është izolim, por një mënyrë për të krijuar një hapësirë ku zemra mund të dëgjojë më qartë. Në heshtjen e natës, kur shumica e njerëzve flenë dhe zhurma e botës zbehet, mendimi bëhet më i kthjellët dhe ndërgjegjja më e ndjeshme. Njeriu fillon të shohë jetën nga një perspektivë tjetër, ajo që gjatë ditës duket e madhe, pasuria, reputacioni, konkurrenca fillon të duket e përkohshme, ndërsa ajo që shpesh neglizhohet falja, pendimi dhe përulësia merr një peshë të re. Kjo është fuqia e reflektimit që lind nga vetmia. Ai ndryshon hierarkinë e vlerave në zemër. Ai e bën njeriun të kuptojë se jeta nuk është vetëm një seri përpjekjesh për të fituar diçka në këtë botë, por një udhëtim drejt një realiteti më të thellë.

Prandaj praktikat shpirtërore të këtyre netëve zgjimi në namaz, përmendja e Allahut, leximi i Kur’anit dhe lutja e sinqertë nuk janë vetëm rituale. Ato janë mënyra për ta çliruar zemrën nga pesha e botës dhe për ta kthyer atë drejt burimit të saj.

Ndoshta për këtë arsye dijetarët islam kanë thënë se në dhjetë netët e fundit të Ramazanit mund të ndodhë një nga transformimet më të mëdha të jetës së njeriut. Sepse në një natë të vetme, në një moment të sinqertë reflektimi me iman dhe me ihtisab, njeriu mund të shohë qartë atë që për vite të tëra nuk e kishte pare, dobësinë e vet, madhështinë e faljes së Allahut dhe kuptimin e vërtetë të jetës së tij. Një pendim i sinqertë, një lutje e thellë ose një moment i qetë meditimi mund të ndryshojë drejtimin e një jete të tërë.

Kështu urtësia e Ibn Ataullah el-Iskenderit merr një dimension të ri kur lexohet në dritën e këtyre netëve. Vetmia për të cilën ai flet nuk është një gjendje e përhershme, por një moment i nevojshëm për të zgjuar zemrën. Dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë ndoshta koha më e përshtatshme për këtë zgjim. Sepse në heshtjen e këtyre netëve, kur besimtari qëndron vetëm para Zotit të tij dhe mendimi i tij hyn në “fushën e reflektimit”, zemra fillon të ndiejë atë që gjatë gjithë vitit kishte harruar, se jeta është një udhëtim i shkurtër dhe se çdo hap i saj merr kuptim vetëm kur e çon njeriun më afër Allahut.

MARKETING