Aramco paralajmëron pasoja “katastrofike” për tregun e naftës nëse vazhdon mbyllja e Ngushticës së Hormuzit
Gjiganti saudit i naftës “Saudi Aramco” paralajmëroi për pasoja “katastrofike” për tregjet globale të naftës nëse mbyllja e Ngushticës së Hormuzit vazhdon mes ofensivës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për shtyp, drejtori ekzekutiv i Aramcos, Amin Nasser, tha se një mbyllje e zgjatur e ngushticës “mund të çojë në pasoja katastrofike për tregjet globale të naftës”, raportoi televizioni saudit Al Ekhbariya.
Më 2 mars, Ebrahim Jabbari, këshilltar i komandantit të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike, njoftoi se Ngushtica e Hormuzit ishte mbyllur, duke paralajmëruar se çdo anije që përpiqet të kalojë do të shënjestrohet.
Nasser e përshkroi krizën aktuale si “sfidën më të madhe të hasur ndonjëherë nga sektori i naftës dhe gazit në rajon”.
Ai tha se ndërprerja e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit ka prekur jo vetëm transportin detar dhe sigurimet, por kërcënon edhe pasoja më të gjera për sektorë si aviacioni, bujqësia dhe industria automobilistike.
Ai paralajmëroi se rezervat globale të naftës janë në nivelin më të ulët në pesë vitet e fundit dhe mund të bien edhe më shpejt nëse kriza vazhdon.
Çmimet e naftës u rritën përkohësisht të hënën në një rekord prej 120 dollarësh për fuçi, përpara se të binin të martën në rreth 92 dollarë, pas komenteve të presidentit amerikan Donald Trump që sugjeruan se lufta mund të përfundojë së shpejti.
Përveç mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyç tranziti për tankerët e naftës, Irani ka nisur gjithashtu sulme ndaj asaj që i quan baza dhe interesa amerikane në vendet e Gjirit, Irak dhe Jordani.
Disa nga këto sulme kanë goditur objekte energjetike, duke bërë që disa vende të ulin prodhimin, gjë që ka rritur çmimet e energjisë dhe ka shtuar frikën për inflacion më të lartë në mbarë botën.
Përshkallëzimi rajonal është rritur që nga 28 shkurti, kur Izraeli dhe SHBA-ja nisën një sulm të përbashkët kundër Iranit, duke vrarë më shumë se 1.200 persona dhe duke plagosur 10.000 të tjerë, sipas autoriteteve iraniane.

