Trump kërkon “dorëzim pa kushte” nga Irani dhe zgjedhjen e një udhëheqësi “të pranueshëm”
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të premten se do të pranojë vetëm “dorëzimin pa kushte” nga Irani, ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli vazhdojnë të sulmojnë në të gjithë vendin, duke shkaktuar hakmarrje të vazhdueshme iraniane, transmeton Anadolu.
“Nuk do të ketë marrëveshje me Iranin përveç dorëzimit pa kushte!”, tha presidenti amerikan në platformën e tij Truth Social.
“Pas kësaj, dhe zgjedhjes së një udhëheqësi/udhëheqësish të shkëlqyer dhe të pranueshëm, ne dhe shumë nga aleatët dhe partnerët tanë të mrekullueshëm dhe shumë të guximshëm, do të punojmë pa u lodhur për ta rikthyer Iranin nga pragu i shkatërrimit, duke e bërë atë ekonomikisht më të madh, më të mirë dhe më të fortë se kurrë më parë. Irani do të ketë një të ardhme të shkëlqyer”, shtoi ai.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën një sulm në shkallë të gjerë ndaj Iranit të shtunën, duke vrarë më shumë se 1.000 njerëz, përfshirë Udhëheqësin Suprem Iranian Ali Khamenei, mbi 150 nxënëse shkolle dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.
Irani është hakmarrë me breshëri të gjera sulmesh të veta që kanë shënjestruar bazat amerikane, objektet diplomatike dhe personelin ushtarak në të gjithë rajonin, si dhe shumë qytete izraelite. Sulmet kanë vazhduar të përshkallëzohen.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, tha të enjten se udhëheqja e Iranit kishte bërë llogaritje të gabuara nëse besonte se Washingtoni nuk mund ta mbante ritmin e operacioneve.
“Irani shpreson se ne nuk mund ta përballojmë këtë, gjë që është një llogaritje e gabuar vërtet e keqe për IRGC-në (Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike) në Iran”, tha Hegseth.
“Nuk ka mungesë vullneti amerikan këtu”, shtoi ai, duke thënë se rezervat amerikane të armëve sulmuese dhe mbrojtëse lejojnë që fushata të vazhdojë “për aq kohë sa duhet për të siguruar që SHBA-ja të arrijë këto objektiva”.

