I dërguari i Trump: Takimi Zelensky-Putin është i mundur në javët e ardhshme

I dërguari i Trump: Takimi Zelensky-Putin është i mundur në javët e ardhshme

I dërguari special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff ka sugjeruar se “lajme të mira” për përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës mund të dalin në javët e ardhshme, dhe nuk e ka përjashtuar një samit midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit rus Vladimir Putin.

Witkoff tha se Ukraina dhe Rusia janë të angazhuara në një “luftë qesharake” për territor, transmeton Telegrafi.

“E dini, të gjithë e përdorin fjalën ‘dinjitet’. Por çfarë të sjell dinjiteti nëse ke kaq shumë vrasje”, tha Witkoff.

Ai sugjeroi që vështirësia kryesore në arritjen e paqes qëndron “në nivelet e lidershipit” të dy shteteve.

“Ne shpresojmë, Jared Kushner dhe unë, se – kemi vënë disa propozime në tryezë për të dyja palët që do t’i bashkojnë ato në tre javët e ardhshme dhe ndoshta edhe do të rezultojnë në një samit midis Zelensky dhe Putin”, shtoi Witkoff.

Ai gjithashtu nuk e përjashtoi mundësinë që Donald Trump të mund të bashkohej me një takim të tillë, por shtoi se presidenti amerikan “nuk dëshiron të vijë në një takim nëse nuk mendon se mund ta përmbushë këtë gjë dhe të marrë rezultatin më të mirë”.

“Dhe ai në mënyrë unike e ka atë fuqi për ta bërë këtë. Kështu që shpresojmë se do të dëgjoni disa lajme të mira në javët e ardhshme”, shtoi i dërguari.

MARKETING