Ukraina akuzon Hungarinë dhe Sllovakinë për “shantazh energjetik”

Ukraina akuzon Hungarinë dhe Sllovakinë për “shantazh energjetik”

Ukraina ka akuzuar dy shtete anëtare të Bashkimi Evropian, Hungarinë dhe Sllovakinë, për provokim dhe shantazh në mes të mosmarrëveshjeve mbi furnizimin me energji, në një kohë kur vendi po përballet me pasoja të rënda nga sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, deklaroi në platformën X se kërcënimet nga Budapesti dhe Bratislava për të ndërprerë furnizimin me energji elektrike janë “të papërgjegjshme” dhe përbëjnë rrezik për sigurinë energjetike të gjithë rajonit.

Sipas tij, Kievi po shqyrton aktivizimin e mekanizmit të paralajmërimit të hershëm, të paraparë në Marrëveshjen e Asociimit me BE-në, për të adresuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e krizës.

Mosmarrëveshja lidhet me ndërprerjen e furnizimit me naftë ruse përmes tubacionit Druzhba, i cili kalon përmes territorit ukrainas dhe furnizon Hungarinë dhe Sllovakinë. Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se tubacioni është dëmtuar nga sulmet ruse dhe se ekipet janë duke punuar për riparimin e tij, pavarësisht rrezikut të sulmeve të mëtejshme.

Ministria e Jashtme e Ukrainës kritikoi ashpër këto dy vende, duke thënë se kërcënimet për ndërprerjen e energjisë elektrike gjatë periudhës së temperaturave të ulëta do të linin qytetarët ukrainas pa energji, ngrohje dhe gaz.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se veprime të tilla “jo vetëm që i shërbejnë interesave të agresorit, por dëmtojnë edhe vetë kompanitë energjetike të këtyre vendeve”.

Ukraina ka propozuar alternativa për furnizimin e Hungarisë dhe Sllovakisë me naftë jo-ruse, në përpjekje për të zbutur krizën dhe për të ruajtur stabilitetin energjetik në rajon.

Në anën tjetër, ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, paralajmëroi se Budapesti do të bllokojë një kredi prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, nëse nuk rifillon tranziti i naftës përmes tubacionit Druzhba.

Ndërkohë, kryeministri hungarez Viktor Orbán deklaroi se vendi i tij nuk do të lejojë që të detyrohet nga aktorë të jashtëm për të marrë vendime që dëmtojnë interesat e tij kombëtare.

Kredia prej 90 miliardë eurosh, e miratuar nga institucionet evropiane, synon të mbulojë nevojat urgjente financiare të Ukrainës deri në vitin 2027 dhe të mbështesë përpjekjet e saj për mbrojtje dhe stabilitet ekonomik gjatë luftës me Rusinë.

Komisioni Evropian u ka bërë thirrje shteteve anëtare që të respektojnë marrëveshjen e arritur dhe të mundësojnë disbursimin e fondeve, duke theksuar rëndësinë e unitetit evropian në mbështetje të Ukrainës.

MARKETING