Endrit Nika dënohet me 18 vjet burgim për vrasjen e argjentinases
Gjykata Themelore e Prishtinë ka shpall aktgjykim dënues prej 18 vitesh ndaj të akuzuarit Endrit Nika, i cili akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase në Fushë Kosovë në vitin 2023.
I prangosur e nën masa të larta të sigurisë në gjykatore u soll i akuzuari, Endrit Nika.
Në shpalljen e dënimit për Nikën nuk munguan edhe familjarët e argjentinases Maria Clara Urdangaray.
Kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri deklaroi se në emër të popullit e shpall fajtor Endrit Nika për veprën penale vrasje e rëndë dhe e dënon me 18 vjet burgim.
“Në emër të popullit në këtë gjykim i akuzuari Endrit Nika është fajtor për veprën penale vrasje e rëndë andaj gjykata në bazë të dispozita ligjore të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të Kodit të Procedurën PENALE Të Kosovës, të akuzuarin Endrit Nika e gjykon me burgim me dënim me kohëzgjatje prej 18 viteve i cili dënim do të ekzekutohet nga dita kur ky aktgjykim do të marr formën e prerë. Në dënimin e shqiptuar me burgim të akuzuarit i përllogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 01/’08/2023 e tutje të akuzuarit me aktvendim të veçantë i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi, por jo më shumë sesa dënimi i shqiptuar në aktgjykim. Detyrohet i akuzuari që në emër të shpenzimeve penale sipas llogarisë përfundimtare të kësaj gjykate ndërsa në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumë prej 1 mijë euro. Si dhe në emër prej taksës për kompensim të viktimave të krimit të paguaj taksën 50 euro”, tha ai.
Gjyqtari, Bahtiri e arsyetoi vendimin e marrë për dënimin me burgim prej 18 vjetësh për Nikën.
“Përmbyllet qarku i këtyre provave duke përjashtuar çdo mundësi tjetër alternative të rrjedhjes së ngjarjes faktike për të cilin i akuzuari shpallet fajtor. Ashtu që është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar që se me veprimet e të akuzuarit Endrit Nika përmbushen të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale që i akuzuari është shpall fajtor”, u shpreh Bahtiri.
Prokuroria aktuauzën kundër Nikës e kishte ngritur më 11 shkurt 2025, ku ai akuzohej se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij, Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.
Prindërit e Maria Clara të pakënaqur me vendimin e Themelores, kërkojnë burgim të përjetshëm
Pas aktgjykimi fajësues për Endrit Nika me 18 vite burgim për vrasjen e vajzës së tyre familja e Maria Clara Urdangaray shprehen se tashmë vajza e tyre do të pushojë e qetë në paqe. Megjithatë, nëna dhe babai i argjentinases thonë se Endrit Nika kurrë nuk mund të dënohet aq sa e meriton dhe paralajmërojnë se aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë do ta apelojnë në Gjykatën e Apelit duke kërkuar burgim të përjetshëm.
Prindërt e Maria Clara teksa iu drejtuan gazetarëve në duar mbanin flamurin e Kosovës dhe mbishkrimet “Drejtësi për Maria Clara”.
Nëna e viktimës, Magdalena Urdangaray tha se kanë besuar gjithmonë në drejtësinë e Kosovës.
“Sot Maria Clara Urdangaray mund të pushoj në paqe. Përkundër të gjitha vështirë se ka qenë vështir nga fillimi për ta rikthyer, por ne gjithmonë kemi besuar në drejtësinë e Kosovës. E vlerësojmë shumë punën e prokurorit, Armend Hamiti që gjithmonë ishte përkushtuar dhe sot e ka dëshmuar angazhimin e tij me të gjitha provat gjithmonë e ka mbështetur të vërtetën. Clara e ka marr drejtësinë dhe i falënderojmë të gjitha autoritetet e Kosovës”, tha nëna e saj.
E babai i Maria Clara, Facundo Urdangaray thotë se atë asgjë nuk mund ta ngushëlloj pasi vajza e tij tashmë është vdekur, ndërsa Endrit Nika vazhdon të jetoj.
Ai tha se vajza e tij u vra në mënyrën më brutale.
“Vajza jonë vazhdon të jetë e vdekur asgjë nuk mund të na ngushëlloj e ai vazhdon të jetoj ndërsa vazja jonë ka përfunduar e vdekur në formën më brutale dhe është dashur të shohim gjithçka para se të vdes bija jonë“, shprehet nëna e Maria Clara.
Nëna e Maria Clara teksa deklaron se Endrit Nika kurrë nuk mund të dënohet aq sa e meriton tha se aktgjykimin e sotëm do ta apelojnë duke kërkuar burgim të përjetshëm.
“Kurrë nuk mund të dënohet aq sa e meriton….Kjo është diçka që do të konsulohemi me avokatët tanë Betim Shala, por gjithsesi me shumë gjasa do ta apelojmë këtë vendim. Në sistemin tonë gjyqësor të drejtësisë të Argjentinës një vrasës i gruas një kryes i femicidit dënohet me burgim të përjetshëm….(A kërkoni burgim të përjetshëm) Gjithsesi”, theksoi ajo.
Sot, Gjykata Themelore e Prishtinë ka shpall aktgjykim dënues prej 18 vitesh ndaj të akuzuarit Endrit Nika, i cili akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase në Fushë Kosovë në vitin 2023.
Në sallën e gjykimit teksa shpallej vendimi për Nikën të pranishëm ishin edhe familjarët e tij, por edhe familjarët e viktimës, Maria Clara Urdangaray , të cilët pas shpalljes së aktgjykimit nga gjyqtari, Gazmend Bahtiri thirrën për “ Drejtësi”.

